TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Detaje të reja janë zbuluar nga hetimi mbi ekzekutimin mafioz të ish-policit, Santiago Malko. rreth një muaj më parë në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë.
Në materialin filmik të bashkëngjitur më poshtë të publikuar nga televizioni “Fax News”, shfaqen prokurorët e çështjes nën hetim, Albert Demirneli dhe Naim Tota, të cilët qëndrojnë miqësisht në një tavolinë me tre avokatët e personave të përfshirë në atentatin ndaj 26-vjeçarit Malko.
Njëri prej tyre është Ilir Murati, përfaqësuesi ligjor i Blendi Tetës, 39-vjeçari i arrestuar si personi që ka dijeni mbi itinerarin e ndjekur nga vrasësit e Malkos.
Sikurse shihet edhe në videon, e cila është xhiruar rreth dy javë më parë në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë, avokatët dhe prokurorët e çështjes kanë zhvilluar një takim mëse miqësor, duke konsumuar birra teksa bisedojnë.
Sqarojmë se në kohën që datojnë këto filmime, Naim Tota, ka patur nën hetim vrasjen e bujshme të ish-policit, ndërkohë që nuk është më prokuror i kësaj çështjeje, pasi hetimet në fjalë i kanë kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Lidhur me këtë ngjarje, Policia ka shpallur në kërkim tetë persona, ndërsa Gjykata Penale e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për të gjithë.
Aktualisht, në pranga ka rënë vetëm Teta, i cili është lënë në burg pa afat nga Gjykata e Tiranës. Në këtë ngjarje janë të përfshirë edhe vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka, Ervis Metani, Ilir Selmani, Oltian Loga, Dritan Aga, Aleksander Maxhaku, si dhe Fatmir Hyseni, i njohur ndryshe me pseudonimin “Doqja”.
Malko, ishte pjesë e bandës së Ervis Martinajt, i njohur ndryshe si bosi i lojërave të fatit. Malko kishte gjithashtu në pronësi disa pika bastesh sportive. Ai ka qenë i përfshirë në ngjarjen e 4 tetorit 2018, ku dhe ndodhi vrasja e Fabian Gaxhës në ish-Bllok pas një përplasjeje me armë.
Gjithashtu, ish-polici i vrarë është përfshirë në një sherr me dy vëllezërit Lashi në vitin 2016 për një borxh prej 1 mijë eurosh.
Megjithatë, pavarësisht kësaj ngjarjeje të rëndë, Santiago Malko ka qenë pjesë e Inspektoratit të Mjedisit dhe Pyjeve, ku ka punuar si inspektor edhe pse ka qenë i shpallur në kërkim.