AKTUALITET, 27 Nëntor 2019, 13:47

VIDEO/ Hapi vrimën dhe shpëtoi veten nga rrënojat, i mbijetuari plot shpresë: Vajzën e kam nën beton, ishalla është gjallë!

VIDEO/ Hapi vrimën dhe shpëtoi veten nga rrënojat, i mbijetuari


Një nga të mbijetuarit e tërmetit të fuqishëm Haxhi Kabili ka treguar se si e hapi vrimën dhe arriti të dilte vetë nga rrënojat ku ishte bllokuar.

Në një prononcim për FaxNews, Kabili tregon se gruan e ka në gjendje të vështirë në Spitalin e Traumës ndërkohë që ka ende shpresa që të gjejë gjallë të bijën, Adelinë që është 21 vjeç.

“Sapo ndjemë tërmetin kërkuam që të dilnim po nuk mundëm, banonim në katin e katërt, vajzën e kam nën rrënoja, kam pastruar vetë tullat dhe kam dalë, kam gjetën vrimën dhe kam dalë.

Gruan e kam gjetur në fund të pallatit, vajzën nuk kam mundur që ta gjej, gruaja ka dëmtime më të rënda në pjesën e legenit, ndodhet te Trauma në Tiranë.

Është diçka më mirë, vajza është nën rrënoja, vazhdojnë kërkimet. Të zotit jemi, shpresojmë që të jetë gjallë, të jetë mirë, në momentin që ka rënë një tërmet të parafundit, unë jam ngritur dhe kam qenë në divan, gruaja dhe vajza kanë qenë në dhoma të ndryshme.

Telefoni më ngeli në dorë nuk më humbi, kam marrë në telefon disa njerëz të mi, por gjithsesi dola vetë nga rrënojat. Vajza është 21 vjeç, punonte te këpucët, Zoti është i madh. Kam dhe dy fëmijë të tjerë, kanë ardhur nga jashtë,”- dëgjohet të thotë ai në video.

32 viktima, 658 të lënduar, 47 të shpëtuar, ky është bilanci i tërmetit të djeshëm, që e ka futur vendi në zi kombëtare dhe ka detyruar autoritetet të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme.

Ende vijojnë kërkimet në Thumanë dhe Durrës pas tërmetit, pasi mbi 25 persona janë ende të humbur nën rrënoja, dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre. 62 persona po marrin mjekim në spitalin e Traumës.