AKTUALITET, 23 September 2026, 09:26

Operacioni/ Tentuan të transportonin 6 emigrantë drejt vendeve të BE-së, arrestohen 2 persona në Sarandë

Një 50-vjeçar dhe një 59-vjeçar kanë rënë në prangat e ‘bluve’ të Sarandës pasi po tentonin të kalonin drejt Greqisë 6 emigrantë.

Këta të fundit ndodheshin në 2 automjete, të cilët u kapën pranë kufirit me Greqinë. Emigrantët që vinin nga Pakistani, Bangladeshi dhe India, synonin që në këmbim të parave, të hynin në vendet e BE.

Ata janë vënë nën hetim, ndërsa automjetet janë sekuestruar.

Njoftimi i policisë:

DVKM Vlorë/Finalizohet operacioni i koduar “Kufijtë”, goditet një rast i tentativës për të ndihmuar emigrantë nga Vendet e Treta, për të kaluar ilegalisht kufirin.     

Arrestohen 2 shtetas që u kapën në afërsi të kufirit me Greqinë dhe tentuan të transportonin me 2 automjete, kundrejt pagesës, 6 emigrantë që synonin të kalonin në vendet e BE-së.

Procedohen penalisht 6 emigrantët nga Pakistani, Bangladeshi dhe India, pasi kishin hyrë ilegalisht në territorin e Shqipërisë.

Sekuestrohen 2 automjetet më të cilat do të transportoheshin emigrantët.   

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, në vijim të kontrolleve dhe punës hetimore për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufijve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Kufijtë”.   

Gjatë këtij operacioni u arrestuan shtetasit A. D., 50 vjeç dhe F. Ç., 59 vjeç, banues në Tiranë.    

Këta 2 shtetas u kapën nga shërbimet e Policisë Kufitare, në vendin e quajtur “Pagane”, afër vijës kufitare me shtetin grek, me 2 automjete me të cilat do të transportonin kundrejt pagesës, 6 shtetas të huaj që synonin të kalonin ilegalisht kufirin, për të shkuar në vendet e Bashkimit Evropian. 

Në vijim të veprimeve procedurale, u proceduan penalisht 6 emigantët nga Pakistani, Bangladeshi dhe India, pasi kishin kaluar ilegalisht kufirin tokësor me Greqinë.   

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.