SPORT, 18 Qershor 2018, 16:00

VAR-i i vjen në ndihmë Suedisë, mposht Korenë e Jugut me 11 metërsh

VAR-i i vjen në ndihmë Suedisë, mposht Korenë e Jugut me 11

Ka përfunduar ndeshja në Nizhny Novgorod Arena mes Suedisë dhe Koresë së Jugut me rezultatin 1-0. Një lojë e ekuilibruar ku nordikët, pavarësisht epërsisë territoriale, nuk mundën të gjejnin avantazhin në pjesën e parë, por u ndihmuan nga 11 metërshi i akorduar me sistemin VAR.

Berg provoi në minutën e 20 në rastin më të mirë të takimit, por portieri Hyun-Woo Cho ishte deciziv. Edhe Toivonen nuk arriti të shënojë në tentativën me kokë një minutën më pas, ndërsa në fundin e shtesës goditja me kokë e Larson kalon pak mbi traversë.

Korea e Jugut provoi vetëm me kundërsulm dhe mundësinë e artë e kishte në të 35 kur Son përdori shpejtësinë e tij për të lënë pas Granqvist, që rikuperon vetëm në castin e fundit ndaj sulmuesit të Tottenham.

Suedia mori avantazhin në Nizhny Novgorod Arena me një 11 metërsh të akorduar falë sinjalizimit të VAR. Përballë portierit Hyun-Woo Cho tregohet i saktë Granqvist, që e dërgon topin në krahun tjetër të portierit të Koresë së Jugut.

Përpjekjet e koreano-jugorëve nuk patën sukses, ndërsa është Suedia që mund të ndëshkonte sërisht.

Përfundon me fitoren e Suedisë 1-0 me skuadrën e teknikut Anderson që merr tashmë kryesimin e Grupit F, në kuotë të barabartë pikësh me Meksikën (3) ndërkohë që Gjermania e Korea e Jugut kanë 0 pikë.