AKTUALITET, 13 Nëntor 2020, 17:30

Ursula Von der Leyen "ngushëllon" Ramën dhe Zaevin për shtyrjen e negociatave me BE-në


Presidentja e KE, Ursula Von der Leyen ka marrë në telefon për të qetësuar kryeministrat Zaev dhe Rama, pas shtyrjes së datës për hapjen e negociatave.

Biseda me Zaev

Në bisedën me Zaev mori pjesë edhe zëvendëskryetari i Qeverisë i ngarkuar për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, Kryeministri Zaev shprehu falënderim për pakon për zgjerim edhe për raportin pozitiv të Komisionit Evropian për Maqedoninë, me të cilat Brukseli konfirmoi se Maqedonia e Veriut është e gatshme për konferencën e parë ndërqeveritare për fillimin e negociatave me BE-në.

Zaev shtoi se kjo mbështetje ka domethënie shtesë sepse është e shoqëruar me Planin ekonomik dhe investues për vendet nga rajoni, për mbështetjen e procesit për realizimin e standardeve evropiane dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor me aspirata për anëtarësim në BE.

Kryeministri Zaev e njoftoi Kryetaren e KE-së von der Leyen edhe për bisedimet aktuale me Republikën e Bullgarisë dhe i prezantoi qëndrimin e Maqedonisë së Veriut. Siç dihet Bullgaria ka bllokuar negociatat e Maqedonisë me BE-në për arsye të mosmarrëveshjeve lidhur me shkrimin e historisë dhe emërtimin e gjuhës në Maqedoni.

Në këtë kontekst, Kryeministri Zaev u falënderua për angazhimin personal të Kryetares së KE-së, si dhe të gjithë eurokomisionerëve, veçanërisht duke ndihmuar në këtë plan të kryesisë gjermane me BE-në, si dhe përkushtimin që të gjendet zgjidhje, e cila do të jetë  sukses për Maqedoninë e Veriut, për Republikën e Bullgarisë, për BE-në dhe për Ballkanin Perëndimor.

Kryetarja e KE-së Ursula von der Leyen nga ana e saj theksoi se Brukseli pret zgjidhje pozitive si rezultat i realizuar bashkërisht nga të gjitha palët për integrim të suksesshëm të Maqedonisë së Veriut në BE.

Kryetarja e KE-së shtoi se Maqedonia e Veriut është shembull pozitiv për Ballkanin Perëndimor për reformat e realizuara, për marrëveshjet e arritura me Greqinë dhe Bullgarinë dhe për udhëheqjen në bashkëpunimin rajonal.

Biseda me Ramën

Von der Leyen e konsideron Ramën si mik të mirë, teksa thekson se dy çështjet që ka diskutuar ishin mënyra më e mirë për të ecur me procesin e zgjerimit dhe planin ekonomik dhe të investimeve të BE për Ballkanin Perëndimor.

”Diskutim konstruktiv si gjithmonë me mikun tim të mirë Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për mënyrën më të mirë për të ecur përpara me procesin e zgjerimit dhe zbatimin e shpejtë të Planit Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor.”- shkruan Von der Leyen në llogarinë e saj në Twitter

Kryeministri Rama nuk ka bërë akoma ndonjë njoftim për telefonatën, që me sa duket është thjesht bisedë kortezie, në kuadrin kur Shqipëria nuk u thirr për hapjen e negociatave. Nëse Maqedonia ka një arsye për t’u justifikuar,- problemet historike me Bullgarinë-, Shqipëria është bllokuar nga Holanda dhe disa shtete të tjera që nuk janë të kënaqur me progresin e reformave.

/TPZ.al/