AKTUALITET, 17 Tetor 2018, 15:44

“Unë kam parë kamerat”/ Presioni i Ramës për hetimet e ngjarjes në Komisariatin e Krujës

Që kur skandali i Xhisiela Malokut pushtoi ekranet e televizioneve dhe ato të portaleve, Edi Rama ka mohuar kategorikisht praninë e Taulant Ballës në zyrën e Emiljano Nuhut, ish oficerit të policisë së Krujës, që thotë se u kërcënua me pistoletë në kokë nga Rrajat.

Por në debat me gazetarët në emisionin Dritare në News24, Rama doli me një zbulim, kur tha se i ka parë personalisht filmimet e kamerave të Komisariatit të Krujës.

“Ta tregoj unë hetimin. Më lër të mbaroj. Po të them unë pse e them unë, që ta dish ti, ta marrësh vesh ti pse e them unë. Unë nuk gënjej kurrë zotëri. Unë mund të bëj gabime plot, sa të duash ti. Por kurrë nuk bëj gabime të qëllimshme, pra që ta shkel ligjin me qëllim, apo që t’i bie në qafë tjetrit me qëllim dhe kurrë unë nuk gënjej. Mund të mos e them një gjë, por për të gënjyer nuk e bëj kurrë. Dhe po të them që kur ai thotë që: Në filan datë, kam qenë në komisariat, ka ardh Taulanti, me revole, me Rrahmanin, me kështu, unë kam parë kamerat. Ka kamera në atë ditë, në atë komisariat. Nuk ekziston, jo Taulanti, por as ky. Dhe ai ka kujtuar se kamerat nuk funksionojnë. Dhe serveri ka ruajtur të gjitha imazhet”

Me këtë deklaratë, për herë të parë Rama pranoi se i është vënë në dispozicion një provë e rëndësishme nga dosja hetimore, siç janë filmimet e kamerave të sigurisë të Komisariatit të Krujës, me qëllim që ai t’i verifikojë personalisht pamjet.

Por si arriti Rama deri tek filmimet e kamerave të sigurisë? Kush ia vuri në dispozicion kryeministrit këto filmime për verifikim, të cilat janë edhe elementi kyç i hetimit në lidhje me vërtetësinë e deklaratave të Emiljano Nuhut?

është normale të mendohet se policët e Krujës, kur dëgjuan Emiljano Nuhun, që plasi në media bombën e kërcënimit në zyrën e tij nga Rrajat, kanë nxituar të verifikojnë serverin që ruan filmimet, një kopje e të cilave mund të ketë përfunduar tek kryeministri.

Por ky variant i ngjarjes u rrëzua poshtë pikërisht nga Rama, në një takim që ai pati me drejtuesit e policisë. Pikërisht se policët nuk morën një kopje të filmimeve që ta bënin publike, Rama u ankua në takimin që pati në Ministrinë e Brendshme. Pikërisht se policët e dorëzuan materialin filmik menjëherë në prokurori, Rama u tërhoqi vërejtje, kur u tha:

“Pse ju mohua publikut shqiptar e drejta për të parë të vërtetën në kamerat e komisariatit lidhur me të gjithë skenën e fantazuar nga shpifësi nën uniformë. Ndërkohë që në pamjet e kamerave, del qartë tamam si ato kronikat No comment se e tërë skena që ngriti gjithë atë dallgë balte mbi policinë se shtetit dhe mbi të gjithë ne, e përshkruar në letrën e shpifësit, është një sajesë e tij, fund e krye. Nuk mund të mjaftojë fakti që kamerat iu dërguan prokurorisë sepse kjo është njëra anë. Por, nuk e justifikon gjithë atë baltë që mori policia e shtetit”

Pra, filmimet e kamerave të sigurisë, siç ka pranuar vetë Rama janë bërë pjesë e dosjes hetimore në prokurori menjëherë pas denoncimit të Emiljano Nuhut. Dorëzimin me urgjencë të këtyre pamjeve, kryeministri e ka pranuar vetë.

Atëherë, kur pamjet u dorëzuan menjëherë në prokurori, si arriti të ketë akses kryeministri tek këto filmime, që janë pjesë e dosjes hetimore?

Dy janë variantet, ose kryeministri gënjeu kur tha se i ka parë personalisht filmimet e komisariatit të Krujës, ose në rastin më të keq, ai ka arritur të nxjerrë nga dosja e prokurorisë një pjesë nga filmimet për t’i verifikuar personalisht.

Në të gjitha rastet, ndërhyrja në hetime nga ana e kreut të qeverisë është e qartë dhe si e tillë hedh dyshime të forta mbi vetë filmimet dhe alibinë e qeverisë për Taulant Ballën.©Lapsi.al