AKTUALITET, 12 Qershor 2019, 10:57

U shkarkua nga KPK, ish-kreu i Apelit të Shkodrës: Vazhdon lufta e klasave si në komunizëm


Kreu i Apelit të Shkodrës, Fuat Vjerdha ka reaguar pasi u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK).

Gjatë vlerësimit të pasurisë, KPK konstatoi probleme të vogla me deklarimin e pasurisë dhe mungesë burimesh të ligjshme prej 1.6 milionë lekësh. Ndërsa duket se u penalizua për uljen e dënimit të Sokol Mjacaj në 2010. Ky i fundit sapo kishte dalë nga burgu vrau dy turistët çekë në Theth.

Në shpjegimin e tij, Fuat Vjerdha thotë se është shkarkuar për shkaqe politike, si një herë e një kohë në komunizëm kur zhvillohej lufta e klasave. Ai thotë se keqardhja e njerëzve nuk duhet të shkojë për të, por ata (anëtarët e Komisionit) që dhanë vendimin. “Fali zot se nuk dijnë ç’a bajñë!”, shkruan Vjerdha.

Statusi i plotë në facebook:

“Të dashur miq!

Ju falenderoj nga zemra për mbështetjen qe po më jepni me mesazhet tuaja dhe keqardhjen qe shprehni për shkarkimin tim nga detyra fisnike e gjyqtarit, të cilen e ushtrova per 25 vite.

Kjo situatë më ktheu në vitin 1973, kur mua, që kisha mbaruar maturën me mesatare 10, nuk mu dha e drejta e studimit nga komunistet ne pushtet, ne kuadër të zhvillimit të luftës së klasave.

Edhe atëherë, si sot, keqardhja shprehej nga të djathte e të majtë qe më njihnin.

E përsëris se nga salla e vetingut kam dalur kryenaltë, sepse u provua që nuk kam qenë dhe nuk jam i korruptuar, nuk kam lidhje me grupet kriminale, nuk kam asnjë pasuri të paluajtshme, të krijuar nga unë, përveç atyre te trashëguara nga e ndjera nëna ime, bijë e familjes Tafilica, e respektuar në Shkodër.

Gjithçka tjetër është shprehje e formave moderne të vazhdimit të luftës së klasave, që po zhvillohet ndaj asaj pjese të shoqërisë sonë, e persekutuar gjatë monizmit, që unë kam përfaqësuar në gjyqesorin shqiptar.

Mos ndjeni keqardhje per mua, por për ata që përgatiten dhe dhanë vendimet e datës 10.06.2019, kundrejt meje dhe njëzonje tjetër shkodrane, kryetares së Gjykatës së Tiranës.

Fali zot se nuk dijnë ç’a bajñë!