SPORT, 4 Prill 2018, 21:00

U “poshtëruan” nga Real Madrid, ja çfarë tha Dybala pas ndeshjes

U “poshtëruan” nga Real Madrid, ja çfarë tha Dybala

Vështirë se do të harrojë ndonjëherë humbjen 0-3 ndaj Real Madrid në ndeshjen e parë për çerekfinalet e Champions League. Vështirë se do të harrojë kartonin e kuq…

Me siguri që nuk do të harrojë asnjëherë stadiumin e Juventus të gjithin në këmbë duke duartrokitur golin me roveshatë të Cristiano Ronaldo, një nga më të bukurit në historinë e futbollit.

24 orë pas mbrëmjes shokuese Paulo Dybala ka shkruar një mesazh në “Instagram”: “Humbjet janë të dhimbshme, të bëjnë të ndihesh keq edhe kur arrijnë ndaj skuadrave dhe kampionëve kaq shumë të fortë.”

“Tani duhet të shohim përpara: sakrificë, forcë, pasion dhe të vazhdojmë të përmirësohemi çdo ditë. Falënderoj të gjithë ata që më kanë dhënë kurajë: jeni në zemrën time,” – ka shkruar argjentinasi që nuk do të jetë në ndeshjen e kthimit në “Bernabeu” më 11 prill.

Do të jetë i skualifikuar dhe do ta shoh ndeshjen nga tribuna, me rrezikun se këtë herë mund të jetë edhe ai mes atyre që do të duartrokasin Cristiano Ronaldo.