SPORT, 3 Prill 2018, 11:56

Çmenduri në Juve – Real/ 2 miliardë euro zbresin në fushë

Çmenduri në Juve – Real/ 2 miliardë euro zbresin në

Një sfidë e çmendur. Në lojë janë 2 miliardë euro. Ndonjë milion më shumë apo më pak, por kjo është vlera e lojtarëve të Juventus dhe Real Madrid që do të zbresin në fushë mbrëmjen e së martës në Torino. Kjo shifër vazhdon të rritet duke marrë parasysh investimet e bëra në merkaton e verës së kaluar ku lëvizën emra si Neymar dhe Dembelé apo edhe në dimër nëse përmendim Van Dijk dhe Coutinho.

Dhe nëse pas 2 muajsh e gjysmë do të nisë Botërori i Rusisë disa shifra do të rishikohen me rritje nëse flasim për klube me buxhete të palimituara si PSG, City, United apo Barcelona. Xhevahiri më i shndritshëm i mbrëmjes së sotme do të jetë padyshim Cristiano Ronaldo, njeriu i rekordeve, por disa mbrëmje kanë parë edhe shkëlqimin e njërit që quhet, Dybala.

Ajo dopietë në përballjen Juve – Barcelona (3-0) më 11 prill 2017, e bëri Paulon një lojtar të nivelit të lartë. Këtë sezon në dy përballjet në grup kundër Barcelonës, Joya shkëlqeu sërish, por vetëm në Londër në përballjen kundër Tottenham theu tabunë e golit që i zgjaste për 11 muaj.

Nga ëndrra në realitet

Verën e kaluar Florentino Perezit i mbërriti një ofertë 200 milion euro nga Kina për kartonin e lojtarit portugez që pak kohë më parë kishte rinovuar kontratën deri në vitin 2021 me një klauzolë largimi prej 1 miliardë eurosh. Real tha “jo” dhe duket se nuk është penduar duke parë listën e rekordeve që theu Ronaldo gjatë këtij sezoni. Arriti në 443 gola me bluzën e “merenguez”, kapi 120 gola në kompeticionet e UEFA-s për klube. (117 gola në Champions), rrëmbeu për herë të pestë “Topin e artë” njëlloj si Messi dhe 4 Champions League.

Numra të destinuar të mbeten në histori që të mos ishte për moshën (33 vjeç) edhe ai duhet të nisë të bëjë llogaritë për tu bërë lojtari më i kushtueshëm në botë. Në këtë moment Ronaldo nuk ka çmim sepse thjesht ai “nuk është në treg”.

Një tjetër diskutim është për Dybala që në karrierën e tij është larg asaj që ka arritur talenti portugez, por mosha ia lejon të konsiderohet edhe si një pasardhës i Messi. Në këtë optikë Joya nuk mund të kushtojë asnjë euro më pak se Coutinho, që kaloi nuga Liverpool te Barcelona për 160 milionë euro.