SPORT, 1 Prill 2018, 14:16

Hante dhe qante

Hante dhe qante

Nga Edison Ypi

Përdorimi i dhëmbëve për shkuljen e tapave metalike të shisheve, thyerjen e arrave, bajameve, lajthiave, deri coptimin dhe gëlltitjen e qelqeve, nuk bënin përshtypje, ishin të zakonshme. Flitej për dhëmbët që për shkak të ushqimit të pakët duke mos u përdorur shndrrohen në send batall, në gjymtyrë atavike. Flitej gjithashtu për dhëmbin e qenit, dhëmbin e qumështit, dhëmbin e shkulur që duhej hedhur mbi çati, dhëmbin e verdhë të kurvit, dhëmbët e ofiqarëve rusë që Pjetri i Madh, pasi pa në ëndërr se u bë dentist, ua shkuli me darë kovaçi, për rëndësinë e dhëmbëve në arenën ndërkombëtare; proletariati lufton dhëmbëpërdhëmbë me imperializmin etj. etj.

Shprehja "Sa më pak tru në kokë dhe sa më pak dhëmbë në gojë, aq më mirë" që thuhej se e kishte thënë Hasan Zyko Kamberi, pëshpëritej më së shumti ku mendohej dhe hahej më pak, në burg. Atje, pra në burg, gjatë bisedave për dhëmbët pëshpëritej për një të burgosur që nuk llafosej me kërrkend, veç punonte, veç hante. Ca nga mospërdorimi, ca nga mosha, ca nga plasja e kokës pas muri në hetuesi, këtij të burgosuri nuk i kishte mbetur asnjë dhëmb. Të burgosur pa asnjë dhëmbë kishte dhe të tjerë. Çudia me këtë ishte se ky pa asnjë dhëmb hante më tepër se të gjithë. Kishte patur në atë burg të burgosur pa këmbë por që ecnin, pa gojë por që flisnin, pa veshë por që dëgjonin, pa sy por që shihnin. Por si ky që pa dhëmbë, hante, s'mbahej ment asnjë.

Në përpjekje për të zbuluar misterin e ngrënies pa dhëmbë, bëheshin hamendje nga më të ndryshmet. Ca thoshin se punën e dhëmbëve këtij qyqari ja bënin kockat e forta të nofullave. Të tjerë supozonin se ai, me dhjamrat, kockat, dejet, e nakatosura me ujë, sajonte në fshehtësi një llapa' që e gëlltiste ngadalë të mos dukej si pirje por si ngrënie.

Enigma u zbulua vetëm kur i bugosuri pa dhëmbë që kafshonte dhe hante, vdiq. Ju gjetën nën dyshek dhëmbë hekuri, dhëmbë llamarine. I kishte bërë vetë me gërshërë dhe limë. Dhëmbët e hekurta me njolla ndryshku, i hiqte kur fliste, i vinte kur kafshonte dhe rënkonte, i përdorte kur hante dhe qante.