SPORT, 3 Prill 2018, 10:47

Në Angli e bëjnë fakt të kryer: Alegri zëvendëson përsëri Konten

Drejtuesit e Juventusit duken të qetë dhe kanë refuzuar çdo mundësi largimi të Masimiliano Alegrit, por në Angli janë të sigurt se tekniku i bardhezinjve është shumë pranë transferimit te Çelsi. Sipas “The Sun”, marrëveshja është gati dhe trajneri italian do të jetë në stolin e bluve në edicionin e ardhshëm.

Antonio Konte pritet që të largohet nga drejtimi i skuadrës londineze në fund të sezonit, pas një marrëdhënie problematike me drejtuesit e klubit dhe ashtu siç ndodhi kur u largua nga Juventusi, vendin e tij në pankinë do ta zërë Alegri. Ky i fundit tregoi te bardhezinjtë se dinte të kombinonte rezultatet pozitive me një lojë më cilësore se ajo që kishte bërë Konte para tij, ndaj te Çelsi janë të bindur se po bëjnë zgjedhjen e duhur për të përmirësuar ekipin i cili aktualisht duket larg nivelit të dy skuadrave të Mançesterit apo edhe klubeve të tjera si Liverpuli, Arsenali e Totenhemi.

Tabloidi britanik pretendon se Alegri ka dhënë pëlqimin e tij dhe se po mendon që në fund të këtij sezoni t’i japë lamtumirën Serisë A, edhe pse ka një kontratë me Juventusin.