AKTUALITET, 13 Maj 2019, 11:44

U martuan pak kohë më parë, arrestohet në Kosovë bashkëshorti i ministres Shahini


Policia e Kosovës ka arrestuar orët e para të mëngjesit të sotëm deputetin e Kosovës Dardan Molliqaj, i cili është edhe bashkëshorti i ministres Besa Shahini.

Lajmin për arrestimin e Molliqajt e ka bërë të ditur, subjekti i tij politik PSD me anë të një njoftimi në “Facebook”.

Sipas PSD-së, Molliqaj ‘është arrestuar në banesën e tij dhe nuk ka qenë i paralajmëruar më herët për seancë apo paraqitje ne gjykatë.

“Molliqaj është arrestuar nën arsyetimin për pjesëmarrje në protestën për lirimin e deputetit Albin Kurti, në vitin 2015. Arrestimi i deputetit në fjalë ka qenë në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e njeriut dhe në shkelje të plotë të procedurave ligjore. Për këtë arsye, ajo protestë ka qenë e drejtë dhe e nevojshme”, thuhet në njoftimin e PSD-së.

Në postimin e tyre në Facebook, ata kërkojnë edhe lirimin e deputetit Molliqaj.

“Partia Socialdemokrate kërkon lirimin e menjëhershëm të deputetit Dardan Molliqaj. PSD është për shtet të së drejtës, ku respektohet liria për protestë dhe kritikë. Prandaj, për ne është e papranueshme çfarëdo përpjekje për cenimin e tyre”, thuhet tutje në njoftim.