TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) në korrik të këtij viti, e konfirmoi gjyqtaren e Gjykatës së rrethit Gjyqësor Tiranë, Alma Brati në detyrë, Komisioni Publik e ka ankimuar vendimin me pretendimin se provat e ngritura nga KPK-ja nuk janë bindëse pasi ka mungesë në dokumentacion dhe se hetimi nuk është i plotë.
Komisioni Publik e ka dërguar çështjen në Komisionin e Pavarur të Apelimit.
Përmes ankimimit Komisioni Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që mangësitë e dala gjatë hetimit të riparohen nga ky i fundit gjatë shqyrtimit të çështjes në seancë gjyqësore.
Alma Brati, e cila është edhe kandidate për anëtare e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, është shprehur në seancën e ditës së sotshme se nuk është dakord me gjetjet e Komisionit Publik.
Ajo shpjegon se për apartamentin ka marrë kredi dhe një shumë huaje prej 25 mijë eurosh nga tezja e saj.
“Nuk më duket korrekte që në një shtet si ky në zyrat e të cilit humbin dokumentet e babait tim më kalon mua barra e provës. Nuk mund të përgjigjemi ne për gabimet e shtetit,” – është shprehur Brati gjatë seancës.
Ajo tha se i ka vërtetuar të gjitha të ardhurat e saj si edhe pronat që zotëron duke deklaruar edhe faktin se prindërit zotërojnë të ardhura të mjaftueshme dhe sa herë që ka patur nevojë ata i janë gjendur pranë.
“Kam vërtetuar që të ardhurat e familjarëve të mi janë nga emigracioni. Ata më janë gjendur gjithmonë kur unë kam patur nevojë për përkrahjen e tyre. Të ardhurat e prindërve të mi nuk mund të merren vetëm për 4 vitet e fundit, kanë punuar gjithë jetën dhe të ardhurat e tyre janë të mjaftueshme,” – u shpreh Alma Brati.
Ajo deklaroi se në 2016 e ëma i kishte dhuruar 1 milion e 800 mijë ndërsa për apartamentin Brati tha se ka marrë kredi si dhe një shumë huaje prej 25 mijë eurosh nga tezja e saj të cilat i kishte deklaruar.
Nga ana tjetër Komisioneri Publik kërkoi një hetim për gjyqtaren Alma Brati dhe se duhej të njihej me provat që solli Brati dhe për t’u shprehur më pas.
Kujtojmë se në raportin e ILDKPKI-së, thuhej se Brati nuk ka fshehur pasurinë, dhe nuk ishte në konflikt interesi, dhe këtë raport e ka konfirmuar edhe KPK në seancën e 5 korrikut.