AKTUALITET, 17 Maj 2018, 12:49

U gjet i shkrumbuar brenda makinës në Fushë-Krujë. Del ADN-ja: Ja kush është viktima

U gjet i shkrumbuar brenda makinës në Fushë-Krujë. Del

Tashmë nuk ka më asnjë dyshim, viktima që u masakrua në Fushë Krujë është shtetasi kosovar Xhafer Osmani nga fshati Pestovë i Komunës së Vushtrisë.

Një fakt të tillë e ka provuar analiza e ADN-së, rezultatet e së cilës kanë dalë sot.

Xhafer Osmani, ishte fshati Pestovë i Vushtrrisë, në fund të muajit prill, ishte nisur për një udhëtim në Shqipëri. Por, gjashtë ditë më vonë (më 5 maj), policia shqiptare në Fushë-Krujë kishte gjetur një veturë të djegur brenda së cilës ndodhej edhe një trup i pajetë dhe i djegur, që dyshohet të jetë i 57-vjeçarit nga Vushtrria.

Policia sot ka mbyllur dhe analizat e ADN-së, por dyshohet se fillimisht është torturuar ose është vrarë dhe më pas bashkë me veturë u është vënë zjarri.

HYRJE-DALJET NË SHQIPËRI

Burimet kanë saktësuar se automjeti ka hyrë në Shqipëri pak ditë më parë përmes Pikës së Kalimit Kufitar të Morinës, konkretisht më datë 29 prill 2018. Grupi hetimor i ngritur për të zbardhur ngjarjen e rëndë po verifikon të gjitha pistat e mundshme, ndërsa po përpiqen të gjejnë prova të mjaftueshme në vendin e ngjarjes.

HETIMET

Për shkak të djegies së shkallës së lartë të kufomës, ekspertët nuk kanë mundur të konfirmojnë ende zyrtarisht nëse viktima është djegur i gjallë, ka qenë i lidhur apo i qëlluar me mjete të forta ose armë zjarri.

“Po punojmë me intensitet të lartë. Në bashkëpunim edhe me Krimet e Rënda, po hetojmë rastin e kësaj ngjarjeje të rëndë. Nuk gjetëm shumë prova në vendin e ngjarjes, pasi trupi i viktimës është shkrumbuar totalisht dhe gjithçka që gjetëm ishin vetëm disa mbetje të karbonizuara të trupit të një njeriu. Përmes hetimeve dhe verifikimeve arritëm të zbulonim pronarin e makinës. Ajo rezulton në emër të një shtetasi nga Kosova, me emrin Xhafer Osmani. Mjeti ka hyrë nëpërmjet Pikës Kufitare të Morinës, rreth 7 ditë më parë. Nga verifikimi që kemi kryer, ky shtetas nuk rezulton të jetë kthyer në Kosovë. Po tentojmë të bashkëpunojmë me Policinë e Kosovës për të mbledhur të dhëna rreth këtij personi dhe së shkuarës së tij. Gjithashtu, edhe për të mësuar nga familjarët përse kishte ardhur në Shqipëri”, thanë burime nga grupi hetimor.

Paraprakisht, grupi hetimor ka ngritur disa pista hetimi, duke e klasifikuar si ngjarje kriminale. Agjentët e hetimit po bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës për të mësuar mbi personalitetin e 53-vjeçarit, të shkuarën e tij, nëse ka pasur precedentë dhe ndonjë konflikt të mundshëm në Kosovë ose Shqipëri.

Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur mbrëmë se nga të dhënat e mbledhura, ka dyshime se ky shtetas mund të ketë mbërritur në Shqipëri pasi ai kishte krijuar një lidhje intime dhe për pasojë qëllimi i këtij udhëtimi mund të ketë qenë një histori e tillë, që më pas ka përfunduar në tragjedi.

Të njëjtat burime thanë se ka dyshime që i ndjeri ta ketë krijuar lidhjen në zonën ku u gjet trupi, por pasi është zbuluar lidhja, ai është vrarë e djegur.

“Jemi drejt zbardhjes. Kemi dyshime të forta se kemi të bëjmë me një krim të rëndë për shkak të një lidhjeje intime që kishte viktima këtu”, bëri të ditur Policia, pa specifikuar nëse autori i dyshuar mund të ishte bashkëshorti apo familjarë të tjerë të shtetases, me të cilën dyshohet se 57-vjeçari kishte krijuar lidhje.

Mjeti, brenda të cilit u gjet trupi i djegur, u pikas në një zonë shumë të thellë. Dyshohet që viktima të jetë vrarë dhe më pas t’i jetë vënë flaka brenda në automjet.