AKTUALITET, 28 Janar 2020, 19:37

U deportua ilegalisht nga Kosova, gjykata turke dënon mësuesin turk

U deportua ilegalisht nga Kosova, gjykata turke dënon mësuesin turk

Një gjykatë turke dënoi të martën një shtetas turk, i ekstraduar nga Kosova në vitin 2018 me mbi tetë vite burg.

Hasan Huseyin Gunakan u rrëmbye gabimisht në Kosovë në një operacion të shërbimit sekret turk dhe disa agjencive kosovare, në mars të vitit 2018.

Gunakan, i dyshuar si pjesëtar i lëvizje “Gylen”, u akuzua nga prokuroria turke për spiunazh dhe të qenit pjesëtar i një grupi terrorist. Gjykata Penale në Stamboll me aktvendimin e saj hodhi poshtë akuzat për spiunazh ndaj tij.

I dënuari është një nga gjashtë turqit që u deportuan me avion privat për në Turqi. Prokurorët kishin kërkuar burgim deri në 28 vjet për ta.

“Thuhet se unë jam sjellë (në Turqi) legalisht. Megjithatë, një komision hetues parlamentar i Kosovës nuk ka pranuar se ne jemi sjellë legalisht këtu. Nuk kam kurrfarë lidhjeje me akuzat. S’ka kurrfarë dëshmish konkrete ndaj meje. Dua të lirohem dhe të shpallem i pafajshëm”, ka thënë ai.

Edhe avokati mbrojtës tha se klienti i tij ishte i pafajshëm.

Megjithatë, gjykata mori vendimin e saj dhe e dënoi Hasan Huseyin Gunakanin me 8 vjet, 1 muaj e 15 ditë burgim, pjesërisht për shkak të “anëtarësimit në organizatë të armatosur terroriste”.

Edhe tre turqit e tjerë që u deportuan nga Kosova në mënyrë të fshehtë janë dënuar në Turqi, përkatësisht Osman Karakaya dhe Cihan Ozkan, janë burguar me nga 7 vjet e 6 muaj burgim, Kahraman Demirez, u dënua me 8 vjet e 9 muaj burgim.

Ndaj dy të tjerëve vazhdon procesi gjyqësor.