TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ministri i Diasporës, Pandeli Majko, ka qenë i ftuar në ABC News, ku ka folur për një sërë çështjesh, përfshirë edhe armatosjen e Serbisë nga Turqia.
I pyetur lidhur me faktin se Turqia po furnizon me dronë luftarakë Serbinë, Majko tha se kjo është një ngjarje që Shqipëria "do ta mbajë shënim" dhe se "këto regjistrohen në marrëdhënien shqiptaro-turke", duke sugjeruar se një ngjarje e tillë, nuk është pritur mirë nga qeveria shqiptare, e cila e ka shpallur Truqinë si "aleatin tonë strategjik".
“Ne kemi tre marrëdhënie strategjike, Turqia ka një distancë, por e konsiderojmë të afërt. Turqia po furnizon me armatim Serbinë, e di, cilido e kupton se ne e mbajmë shënim në marrëdhëniet shqiptare turke, kjo regjistrohet, kaq. Do të mbetet e shkruar në memorien shqiptaro-turke, nuk thash po e shpallim armike Turqinë” , u shpreh Majko.
I pyetur nëse një gjë e tillë e shqetëson ministrin, Majko theksoi se “Furnizuesi i parë i Serbisë është Rusia”. Më tej ai shtoi se “Në panik nuk duhet të jemi, siç kanë ata miqtë e tyre, kemi edhe ne miqtë tanë".
Majko foli gjithashtu edhe për kërcënimet e Vuçiç dhe deklaratat e tij për Nagorni-Karabakh.
“Nëse do të ketë një konflikt si në Nagorni-Karabakh, trupat serbe do të përballen me trupat e NATO-s. Dhe po bëri vaki që të ndodhë kjo histori që do të thotë ripërsëritje e luftës së Kosovës, po ju them që shqiptarët të organizuar dhe të paorganizuar, do të bëjnë një gjë që s’e kanë bërë as herën e kaluar. Dhe këtë Serbët duhet ta dinë shumë mirë. Kur shqiptarët fituan një luftë me NATO, pa pasur shtet, pa pasur ushtri, pa pasur strukturat shtetërore, imagjinoni se çfarë bëjnë duke e pasur Kosovën", deklaroi Majko.