TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka filluar të përdorë disa slogane të reja në komunikimin e tij publik.
I frymëzuar nga presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Joe Biden, Basha ka filluar të huazojë sloganet e tij dhe zëvendëspresidentes së zgjedhur, Kamala Harris, të cilët janë zotuar se "do të shërojnë Amerikën". Edhe në fjalimin e fitores, Biden përdori sloganin "Koha për të shëruar Amerikën".
"Është koha për ta lënë pas retorikën e ashpër, për të ulur temperaturat, për të parë njëri tjetrin sërish, për të dëgjuar njëri tjetrin… të mos i trajtojmë kundërshtarët tanë si armiq. Kjo është koha për ta shëruar Amerikën!", tha Biden në fjalimin e tij.
Po kështu, edhe revista prestigjioze TIME, në kopertinën dedikuar zgjedhjeve në SHBA, vendosi sloganin "Koha për të shëruar Amerikën", shoqëruar me fotografinë e Biden dhe Harris.
Lulzim Basha, i frymëzuar nga kjo retorikë, e cila jo vetëm i solli fitoren Biden dhe Harris, por duket se është pëlqyer nga një numër i madh njerëzish në mbarë globin, ka adoptuar sloganin "Koha për të shëruar Shqipërinë".
Ky slogan përkon gjithashtu edhe me periudhën e pandemisë dhe mbart veç të tjerash edhe një mesazh të rëndësishëm sa i përket situatës kaotike shëndetësore, që po kalon vendi.
"Ne do ta mposhtim Edi Ramën, do ta shërojmë Shqipërinë dhe do të rikthejmë shpresën", deklaroi Basha në një emision televiziv.
Me sa duket Basha e identifikon veten më shumë me retorikën e presidentit të zgjedhur Joe Biden, sesa me ish presidentin Donald Trump, pavarësisht se ky i fundit është një republikan, pra një i djathtë si zoti Basha.
Nga ana tjetër, kryeministrin Edi Rama, e kemi parë për një kohë të gjatë të huazojë një retorikë të ashpër dhe të ngjashme me atë të ish presidentit Trump, veçanërisht me sulmin ndaj mediave, duke i konsideruar ato si prodhuese të "fake news", të cilin Rama e çoi në kulm, me ofendime nga më banalet si "kazan", "kadri", etj.
/TPZ.al/
