AKTUALITET, 2 August 2026, 19:56

Alabbar pranon gabimin me portin e Durrësit, Cara: SPAK të fillojë menjëherë hetimet

Deputeti demokrat Igli Cara ka kërkuar që SPAK të nisë menjëherë hetime lidhur me projektin e Portit të Durrësit, pas deklaratës së investitorit Mohamed Alabbar se në Shqipëri u ndërtua shumë shpejt dhe se ky ishte një gabim. 

Duke folur për MCN TV, Cara deklaroi se pranimi i një gabimi në një investim strategjik prej miliarda eurosh ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën si është menaxhuar projekti dhe mbi përgjegjësinë e institucioneve. 

Ai theksoi se duhet të verifikohet nëse janë kryer studimet e nevojshme gjeologjike për zonën përpara dhënies së lejes së ndërtimit. 

Cara u shpreh se heshtja e qeverisë dhe e SPAK-ut për këtë çështje është e pajustifikueshme, ndërsa paralajmëroi se projekti mund të sjellë pasoja të rënda për Portin e Durrësit dhe ekonominë e vendit. 

Deputeti demokrat ngriti gjithashtu shqetësime për ecurinë e investimit, duke pretenduar se deri tani është investuar vetëm një pjesë e vogël e shumës së parashikuar. 

Ai kërkoi reagim urgjent nga institucionet për të mbrojtur, sipas tij, një nga asetet më të rëndësishme publike të Shqipërisë.

Për të gjithë shqiptarët është ngritur një pikëpyetje e madhe për investimin në Shqipëri. Është shqetësim i madh kur pas gjashtë vitesh nga investitori Alabbar të pranohet se në Shqipëri u ndërtua shumë shpejt dhe u bë gabim. 

Si ka mundësi që nuk reagon qeveria, e cila duhet të ishte mbledhur urgjent. Se bëhet fjalë për një investim 3 miliard euro në një prej vendeve më strategjike si Porti i Durrësit. Shqipëria dha asetin më të madh publik, nyje strategjike, aset i rëndësishëm jo vetëm i Ballkanit i NATO-s. 

Tani rrezikon që Shqipëria të mbetet pa port. Bëhet fjalë për një pasuri kombëtare, e cila po shkon si investim i gabuar. Nga pamja e jashtme duken dy ndërtesa të mbaruara dhe të tjerat janë në ndërtim e sipër. Ajo është një zonë e cila do të kishte probleme, kjo është thënë që në fillim sepse është një zonë që siç dihej, është deklaruar se ajo zonë nuk bën për ndërtim, sepse nuk ka bazament. 

Tani kemi deklaratë zyrtare të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit që në dy ndërtesat ka një ulje 18 dhe 28 centimetra. Është gabuar se ajo zonë nuk ndërtohet. Këtu SPAK nuk duhet të hesht, nuk duhet të bëjë pushim. Kemi një moment që hesht qeveria, hesht SPAK, heshtin të gjithë. 

Kam informacione se Alabbar po hedh në tenderim që dhe objektet që do jenë në ndërtim, nuk do jenë më nga firmat shqiptare, por tek ato kineze. Si ka mundësi që një aset kaq i madh publik që është pronë e shqiptarëve, të jepet për ndërtim te kinezët, ndërkohë që nuk gjeneron asgjë në ekonominë tonë. 

Po u zhduk porti i Durrësit dhe Durrësi do ketë pasoja. Nga gjashtë korsi, ka kaluar në tre korsi rruga kryesore, se po punon Alabbari. Nuk e kuptoj se si institucionet heshtin. Alabbar ka investuar deri tani 7 milionë euro nga 160.

Është Rama ideatori i këtij projekti, por pasojat i vuajnë shqiptarët. Kanë ikur shumë por shumë para dhe mbi të gjitha një aset publik. SPAK duhet të fillojë hetim urgjent dhe mbi të gjitha nëse ka pasur studim gjeologjik zona. 

Si është dhënë leja e ndërtimit nëse nuk ka pasur studim. Pse hesht SPAK?! Janë 231 milionë euro të cilat i janë falur Alabbar që jo vetëm nuk janë marrë por rrezikohet dhe porti i Durrësit. 

Nesër duhet të mblidhet qeveria, në mos që sot. Por qeveria nuk mendon kurrë për shqiptarët. Rama mendon vetëm për xhepat e tij. Ky investim nuk po bëhet nga Alabbari por nga ata që po blejnë në ajër, po japin para pa filluar ndërtimi. 

Alabbar e kupton që nuk e çon deri në fund investimin ndaj e ka bërë një deklaratë të tillë, por edhe prej faktit se ajo zonë nuk është e qëndrueshme, nuk ka bazament. 

Duhet ndërprerë të paktën tani projektin dhe të shpëtojmë atë çfarë ka mbetur nga porti i Durrësit. Se situata mund të shkojë shumë më keq dhe dëmet të jenë kolosale për Shqipërinë. 

Kishte një shkelje të ligjit që në fillim, aseti publik u dha pa garë. Vetëm në Shqipëri ndodh një gjë e tillë, se Rama gjithmonë e ka trajtuar pronën si trashëgimi të familjes së tij.