AKTUALITET, 13 August 2026, 10:49

Turizmi/ Lamallari, Gonxhja e Hita në Sarandë, inspektojnë masat e marra gjatë sezonit: Zero tolerancë ndaj paligjshmërisë: Tolerancë zero

Në Sarandë, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja dhe drejtori i Policisë së Shtetit Skënder Hita kanë ndjekur nga afër masat për mbarëvajtjen e sezonit turistik. Në fokus është siguria e qytetarëve dhe turistëve, ndërsa autoritetet kanë theksuar nevojën për zero tolerancë ndaj paligjshmërisë dhe bashkëpunim mes institucioneve.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, vlerësoi shifrat pozitive të sezonit veror, duke theksuar se rritja e numrit të vizitorëve shoqërohet edhe me tregues të mirë sa i takon sigurisë dhe menaxhimit të sezonit.

Gonxhja: Ne jemi në kulmin e sezonit veror, është një sezon që karakterizohet nga shifra shumë pozitive, jo vetëm sa i takon hyrjeve të vizitorëve të huaj por në radhë të parë me shifra që lidhen me sigurinë, mirëmenaxhimin e sezonit. Kjo nuk vjen rastësisht, por vjen si pasojë e një gatishmërie dhe përkushtimi nga Policia e Shteti dhe organet e qeverisjes vendore. Shifrat e tregojnë që jemi në nivelet më të mira të mundshme.

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, tha se siguria e qytetarëve dhe turistëve mbetet prioritet, ndërsa paralajmëroi zero tolerancë ndaj paligjshmërisë dhe kërkoi reagim të shpejtë të Policisë së Shtetit ndaj çdo kërkese për ndihmë.

Lamallari: Kemi tre mesazhe kryesore. Së pari siguria e jetës së qytetarëve dhe turistëve…së dyti është shumë e rëndësishme të bëhet e qartë për këdo që do lejojmë zero paligjshmëri. Kurdoherë që kërkohet ndihmë nga qytetarët reagimi i shpejtë i policisë së shtetit është kritik, është i rëndësishëm. Mesazhi i tretë…një turizëm cilësor që kontribuon në ekonomi nënkupton bashkëpunimin e të gjithë aktorëve. Të gjithë bashkë të bëjmë të mundur që  edhe këtë vit të kemi një turizëm cilësor dhe të synojmë rritjen e numrit të turistëve.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se forcat e rendit janë çdo ditë në terren për garantimin e sigurisë në Sarandë dhe zonat turistike, ndërsa falënderoi punonjësit e Policisë për angazhimin gjatë sezonit veror.

Hita: Saranda është një qytet që e do rendin dhe sigurinë. Në kuadër të këtyre veprimeve ne jemi çdo ditë në terren. Falenderoj punonjësit e policisë që punojnë me përkushtim dhe ndershëmri gjatë sezonit turistik.