TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
SHBA- Presidenti Donald Trump, refuzon të pranojë humbjen në zgjedhjet presidenciale. Edhe pse demokrati Joe Biden është projektuar si fituesi i mbi 270 votave elektorale, Trump duket se nuk do ta pranojë atë që ka ndodhur.
Sipas tij, zgjedhjet janë manipuluar dhe janë numëruar "vota të paligjshme". Me anë të një deklarate, Trump shprehet se Biden po "pozon si fitues në mënyrë të gënjeshtërt" dhe se "aleatët në media po mundohen shumë fort ta ndihmojnë".
"Të gjithë e dimë përse Joe Biden po nxiton të pozojë në mënyrë të gënjeshtërt si fitues dhe përse aleatët e tij në media, po mundohen shumë fort ta ndihmojnë: ata nuk duan të ekspozohet e vërteta! Fakti i thjeshtë, është se këto zgjedhje nuk kanë përfunduar. Joe Biden nuk është çertifikuar si fitues në asnjë shtet, jo më në ndonjë nga shtetet e kontestuara, në të cilat do të ketë rinumërimi të detyrueshëm... Votat e ligjshme vendosin kush do të jetë president dhe jo media", shkruan ndër të tjera Trump.
Pak përpara kësaj deklarate, Trump ka thënë në rrjetet sociale, se ai i ka fituar thellë zgjedhjet. Por poshtë postimit të tij, siç mund ta shihni, Facebook ka vendosur një shënim ku thuhet se Biden është projektuar si fitues i zgjedhjeve.
Edhe pse presidenti ka këtë qëndrim, që vë në dyshim legjitimitetin e zgjedhjeve, në kampin republikan shumë mendojnë se ai duhet të pranojë humbjen dhe braktisja e Trump nga partia, duket se ka nisur.
Joe Biden ka reaguar pak më parë në rrjetin social Twitter, me një mesazh të shkurtër për amerikanët dhe një video, që e shoqëron këtë mesazh. Biden do të mbajë edhe fjalimin e fitores ditën e sotme.
“Amerikë, jam i nderuar që më keni zgjedhur për të udhëhequr vendin tonë të jashtëzakonshëm. Puna që kemi përpara është e vështirë, por unë ju premtoj këtë: Unë do të jem president për të gjithë amerikanët – nëse votuat apo jo për mua. Unë do ta ruaj besimin që më keni dhënë”, shkruan Biden.
Njëkohësisht ka reaguar edhe zëvendëspresidentja e ardhshme, Kamala Harris.
“Këto zgjedhje janë shumë më tepër se sa unë dhe Joe Biden. Ka të bëjë me shpirtin e Amerikës dhe vendosmërinë tonë për të luftuar për të. Kemi shumë punë për të bërë. Le të fillojmë!”. shkruan Harris. /TPZ.al/
LEXO EDHE:
https://www.tpz.al/2020/11/07/nga-angela-merkel-tek-boris-johnson-lideret-boteror-urojne-biden-per-fitoren-e-zgjedhjeve-ne-shba/
https://www.tpz.al/2020/11/07/video-joe-biden-zgjidhet-president-amerikanet-dalin-ne-rruge-per-te-festuar/
https://www.tpz.al/2020/11/07/video-biden-fiton-zgjedhjet-gazetari-shperthen-ne-lot-nga-gezimi-gjate-transmetimit-direkt/
Disa nga çështjet thelbësore, ku Trump dhe Biden ndahen:
Pandemia e Covid-19: Një nga pikat më të nxehta që e ka dominuar fushatën elektorale, është pandemia e Covid-19. SHBA ka numrin më të lartë të viktimave në mbarë botën, me 236,696 fatalitete që prej fillimit të pandemisë dhe mbi 9 milionë të infektuar. Presidenti Trump shpesh ka dhënë mesazhe kontradiktore për rrezikun që mbart ky virus, duke dhënë edhe herë pas here këshilla mjekësore, gjë që ka alarmuar ekspertët, të cilëve u është dashur ta përgënjeshtrojnë. Trump e tërhoqi SHBA-në nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në mes të pandemisë dhe e ka akuzuar OBSH-në, se ka bashkëpunuar me Kinën dhe se është një “kukull” e Kinës.
Joe Biden ka mbështetur mbajtjen e maskave në shkallë të gjerë dhe ka premtuar se SHBA do të rikthehet në OBSH dhe do ta financojë atë.
Emigracioni: Sa i përket emigracionit, palët kanë qëndrimi diametralisht të kundërta. Presidenti Trump ka ardhur në pushtet duke premtuar ndërtimin e një muri ndarës me Meksikën, të cilin ende nuk e ka shndërruar në realitet. Ai gjithashtu ka favorizuar reduktimin e emigracionit dhe administrata Trump u përfshi në procesin kontrovers të ndarjes së fëmijëve nga prindërit në kufi me Meksikën në vitin 2018.
Kandidati demokratik Joe Biden, e kundërshton ndërtimin e murit me Meksikën dhe mbështet zgjerimin e programit të Green Card, që u jep emigrantëve leje qëndrimi në SHBA.
Politika e jashtme: Donald Trump ka vendosur gjatë presidencës së tij, në qendër të sulmeve Kinën, duke e akuzuar për spiunazh dhe manipulim të monedhës. Së fundmi, ai e ka sulmuar Kinën duke e akuzuar për përhapjen e koronavirusit dhe duke e quajtur Covid-19 “murtajën kineze”.
Trump ka mbajtur qëndrim kritik ndaj Iranit, ndërsa ka mbështetur Izraelin dhe Arabinë Saudite. Trump ka qenë një mbështetës i Brexit dhe shpesh i ka tensionuar marrëdhëniet me aleatin tradicional të SHBA-ve, Bashkimin Europian.
Në lidhje me Korenë e Veriut, ai i ka kushtuar rëndësi më të veçantë dhe ka zhvilluar një takim historik me Kim Yong-un, por sipas analistëve, pa rezultate konkrete.
Me Rusinë, Trump ka patur një marrëdhënie relativisht të mirë edhe pse pati akuza për përfshirje të agjentëve rus në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Kandidati demokrat, Joe Biden, gjithashtu e ka kritikuar Kinën dhe e ka konsideruar atë një rrezik serioz.
Në lidhje me Korenë e Veriut, Biden ka kritikuar qëndrimin e Trump, duke u shprehur se ai ka legjitimuar një diktator si Kim Yong-un.
Për Rusinë, kandidati demokrat ka deklaruar se është një rrezik për vlerat demokratike.
Mjedisi dhe Klima: Donald Trump është tërhequr nga Marrëveshja e Klimës së Parisit dhe ka lehtësuar shumë prej kontrollove ndaj kërkimit për lëndë fosile. Por Trump ka bërë progres në disa marrëveshje për ndotjen detare.
Joe Biden është zotuar të rikthejë SHBA-në në Marrëveshjen e Klimës së Parisit dhe ka mbështetur masa më shtrënguese për të “luftuar” ndotjen mjedisore. Premtimi i tij është kalimi në energji të pastër të rinovueshme deri në vitin 2035.