BOTA, 19 Janar 2018, 14:34

Tronditet OKB, punonjësit rrëfejnë sulmet dhe ngacmimet seksuale

Tronditet OKB, punonjësit rrëfejnë sulmet dhe ngacmimet seksuale

Pas skandalit të madh seksual që përfshiu Hollywood-in, së fundmi ka përfshirë edhe Kombet e Bashkuara.

Në një artikull ekskluziv “The Guardian”  tregon se sulmet seksuale kanë lulëzuar në zyrat e Kombeve të Bashkuara anembanë botës, dhe se të gjitha akuzat e bëra nga gratë kanë kaluar në heshtje ndërsa zyrtarët e akuzuar lëvizin në gjendje të lirë, pa u ndëshkuar.

Dhjetëra punonjës të tanishëm dhe të mëparshëm të OKB-së kanë treguar se në OKB mbizotëronte një kulturë e heshtjes dhe se viktimat ishin të rrethuara nga një sistem ku askush nuk dëgjonte.

Nga punonjësit e intervistuar, 15 thanë se kishin përjetuar ose raportuar ngacmime seksuale ose sulme gjatë pesë viteve të fundit. Veprat e pretenduara shkonin nga ngacmimi verbal në përdhunim.

Shtatë nga gratë raportuan zyrtarisht se çfarë ndodhi, por nuk kishin bërë denoncime më parë pasi kishin frikë se do humbisnin vendet e punës dhe se nuk do ndërmerreshin veprime. E para që publikoi rastin ishte një konsulente e cila dikur ka punuar si mbikëqyrëse për programin botëror të ushqimit.

OKB-ja pranoi se kjo situatë sillte shqetësim, por shtoi se sekretari i përgjithshëm i organizatës, Antonio Guterres, ka dhënë përparësi në adresimin e ngacmimeve seksuale dhe mbështetjen e politikës zero tolerancë.

Punonjësit që punojnë në më shumë se 10 vende kanë folur për “The Guardian” në kushte anonimiteti, pjesërisht për shkak se nuk mund të flasin publikisht  bazuar tek rregullorja e OKB-së.

Tre gra që raportuan ngacmime apo sulme seksuale, të gjitha nga zyra të ndryshme, thanë se ishin detyruar të largoheshin nga puna ose u kërcënuan me ndërprerjen e kontratës së tyre gjatë vitit të kaluar. Autorët, të cilët përfshijnë një zyrtar të lartë të OKB-së, mbeten në postet e tyre.

Një nga gratë, e cila pohon se është përdhunuar nga një anëtar i lartë i stafit të OKB-së i cili punon në një vend  të largët, tha: “Nuk ka mundësi të tjera për të marrë drejtësi, kam humbur edhe punën time.

Ajo tha se përkundër dëshmive mjekësore dhe të dëshmitarëve, një hetim i brendshëm nga OKB-ja gjeti prova të pamjaftueshme për të mbështetur pretendimet e saj.  Ajo thotë se e ka humbur vizën dhe ka kaluar muaj në spital për shkak të stresit dhe traumës. Ajo ka frikë se do të përballet me persekutim nëse kthehet në vendin e saj.

Në dokumentet e brendshme të cilat kanë rënë në duart e “The Guardian”, dy nga gratë përmendin shqetësimet me hetimet. Ata pohojnë se ekipi i hetimit të OKB-së, zyra e shërbimeve të brendshme të mbikëqyrjes (OIOS), nuk arriti të intervistojë dëshmitarët kryesorë. Ata gjithashtu thonë se transkriptet përmbajnë gabime

Ndër shqetësimet e ngritura, punonjëset shprehen se pas bërje publike të akuzave të tyre, u ka munguar shërbimi i përshtatshëm mjekësor si edhe këshillimet. Ndonëse ato shprehen mosbesuese ndaj ekspertizës së kryer nga stafi mjekësor i OKB-së.