BOTA, 16 Janar 2018, 12:45

Kthim në vendin e krimit, grabitësi shqiptar nuk i ndahet Britanisë

Kthim në vendin e krimit, grabitësi shqiptar nuk i ndahet

Rikthimi i një shqiptari në Britaninë e Madhe, pasi ishte kapur dhe dënuar për grabitje dhe më pas ishte deportuar në Shqipëri, ka shkaktuar një valë reagimesh për sigurinë e kufijve në këtë vend. Bëhet fjalë për rastin e Dorian Pukës, shqiptarit që u kap me disa ora të shtrenjta të grabitura dhe me një portofol të vjedhur nga policia britanike.

Por gjatë verifikimit doli që ky nuk ishte rasti i parë që Puka kapej duke grabitur. Në vitin 2016, Puka ishte dënuar me 9 muaj burg sërish për grabitje. Pasi vuajti dënimin, ishte riatdhesuar në Shqipëri.

Rikthimi i tij në Britani ka shqetësuar deputetët anglezë që e shohin këtë si provë se kufijtë e Britanisë së Madhe janë të hapur për kriminelët e huaj.

Arrestimi i dytë i Dorian Pukës ndodhi në 16 Nëntor, pasi kishte vjedhur disa ora të shtrenjta herët në mëngjes shkruajnë mediat britanike.

Dënimi i dytë ishte më i ashpër dhe Puka do të vuajë tre vite burg për grabitjet. “Lajmi i mirë është që u kap dhe u fut në burg, lajmi i keq është se ne nuk kemi asnjë marrëveshje për të hapur kufijtë me Shqipërinë dhe çështja është se ata hyjnë e dalin në Britani, pas asnjëfarë kontrolli” është shprehur deputeti David Davies.

“Ajo që duhet të bëjmë është të gjejmë si ia doli ky njeri të kthehet në Britaninë e Madhe dhe të forcojmë ligjet” thotë deputeti.