BOTA, 17 Janar 2018, 13:38

“Ofensiva e sharmit”, Japonia paralajmëron Penianin

“Ofensiva e sharmit”, Japonia paralajmëron Penianin

Japonia tha në një takim ndërkombëtar mbi Korenë e Veriut se bota nuk duhet të verbërohet nga “ofensiva e sharmit” që Peniani po ndjek kohët e fundit.

Komentet e ministrit të Jashtëm japonez në Kanada vijnë ndërsa Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut po diskutojnë mbi planet e Penianit për të marrë pjesë në Olimpiadën e dimrit.

20 ministra të Jashtëm, të mbledhur në Vankuver, ranë dakord që të shtojnë presionin mbi Penianin, por edhe shprehën mbështetjen për diskutimet aktuale mes dy vendeve.

Koreja e Veriut në dy vitet e shkuara ka avancuar me shpejtësi programet e saj bërthamore dhe raketore, pavarësisht sanksioneve të shtuara ndërkombëtare.

Testi më i fundit balistik i saj, i kryer më 28 nëntor, i hapi rrugën një serie të re sanksionesh nga Kombet e Bashkuara që kishin në shënjestër ngarkesat e naftës dhe udhëtimet.

Por, lideri koreano-verior, Kim Jong-un tha në fillim të janarit se ishte i hapur për dialog me Jugun dhe propozoi dërgimin e një delegacioni në Lojrat Olimpike që do të mbahen në Seul, muajin e ardhshëm.