TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare ish- ambasadori Bashkim Zeneli, një nga emrat e njohur të diplomacisë shqiptare.
Gjatë karrierës së tij, Bashkim Zeneli dha një kontribut të rëndësishëm në përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Bashkim Zeneli shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Gjermani dhe Greqi, duke qenë një prej diplomatëve që përfaqësuan vendin në periudha të rëndësishme të zhvillimeve politike dhe diplomatike.
Gjatë krizës së Kosovës, shërbimi i tij diplomatik në Gjermani mori një rëndësi të veçantë për çështjen kombëtare.
Përveç karrierës diplomatike, Zeneli ka qenë edhe deputet i Kuvendit, gazetar dhe publicist.
Për kontributin e tij në diplomaci, politikën e jashtme dhe çështjen kombëtare Bashkim Zeneli është nderuar nga Presidenti i kohës, Ilir Meta me titullin “Mjeshtër i Madh“.
Zeneli ishte edhe autor i disa librave me kujtime dhe analiza diplomatike, mes tyre “Për Gjermaninë” dhe “Miqësi e trazuar”, ku trajtoi përvojën e tij në diplomaci dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e tjera.
Kush ishte Bashkim Zeneli?
Bashkim Zeneli, diplomati, ish-deputeti dhe publicisti i kushtoi një pjesë të madhe të jetës së tij shërbimit publik, politikës dhe diplomacisë shqiptare.
I diplomuar në Drejtësi, Zeneli ka punuar fillimisht si përkthyes i gjuhës gjermane, përpara se të angazhohej në gazetari dhe analizën e politikës së jashtme. Pas vitit 1991, ai u përfshi në politikë, duke mbajtur detyrën e sekretarit për marrëdhëniet me jashtë në Partinë Socialiste.
Ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë për dy legjislatura dhe shërbeu gjithashtu si nënkryetar i Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme.
Karriera e tij diplomatike përfshiu dy prej posteve më të rëndësishme për përfaqësimin e Shqipërisë jashtë vendit. Zeneli shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Gjermani gjatë viteve 1998–2002 dhe më pas në Greqi, në periudhën 2002–2005.
Gjatë misionit diplomatik në Gjermani, ai u angazhua veçanërisht për çështjen e Kosovës dhe forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-gjermane. Ndërsa në Greqi, puna e tij u përqendrua në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe mbështetjen e komunitetit shqiptar që jetonte atje.
Kontributi i tij u vlerësua edhe me disa çmime dhe dekorata. Në vitin 2018, Presidenti i atëhershëm Ilir Meta e nderoi me titullin “Mjeshtër i Madh”. Zeneli u vlerësua gjithashtu në Gjermani për kontributin e tij diplomatik, u shpall “Qytetar Nderi” i Athinës dhe mori medaljen e artë “Zgalemi i Lirisë”.
Përvoja e tij diplomatike dhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë u pasqyruan edhe në librin e tij “Miqësi e trazuar”, ku trajtoi zhvillimet dhe sfidat e marrëdhënieve shqiptaro-greke.
Me angazhimin në gazetari, politikë, parlament dhe diplomaci, Bashkim Zeneli la pas një karrierë të gjatë në shërbim të institucioneve dhe përfaqësimit të Shqipërisë.