SPORT, 13 Nëntor 2020, 14:51

Tirana zgjedh pasuesin e Egbo, Nevil Dede trajneri i ri i kampionëve të Shqipërisë

Tirana zgjedh pasuesin e Egbo, Nevil Dede trajneri i ri i kampionëve

Kur kanë kaluar më pak se 24 orë nga shkarkimi i nigerianit Emanuel Egbo, Tirana ka emëruar menjëherë trajnerin e ri, i cili do të jetë ish kapiteni legjendar i bardhebluve, Nevil Dede.

Lajmin e ka dhënë vetë klubi bardheblu nëpërmjet një njoftimi zyrtar në rrjetet sociale, ndërsa në orën 14:30 pritet të bëhet edhe prezantimi zyrtar i trajnerit Dede si numri një i pankinës së kryeqytetasve.

Tashmë në moshën 45-vjeçare, Nevil Dede ka veshur fanellën e bardhebluve për 11 sezone në dy periudha të ndryshme dhe ka mbajtur shiritin e kapitenit, duke fituar trofe të shumtë në vend me Tiranën.

Si trajner Dede e ka nisur eksperiencën pikërisht te klubi bardheblu, pasi fillimisht ka qenë ndihmës në sezonin 2009-2010 dhe më pas trajner i parë në sezonin pasardhës. Në vijim Dede ka drejtuar edhe skuadra si Laçi, Luftëtari, Kastrioti e Erzeni, ndërsa aktualisht mban edhe postin e Shqipërisë U19.