SPORT, 8 Mars 2020, 19:30

Tirana e Egbosë gjunjëzon edhe Laçin, vendos anglezi Ngo

Tirana e Egbosë gjunjëzon edhe Laçin, vendos anglezi Ngo

Tirana e Egbosë gjunjëzoi edhe Laçin (1-0), dhe tani ndihen gjithmonë e më të sigurt në rrugën drejt titullit kampion.

Deri në minutën e 73-të ekipi i Cungut luftoi mirë dhe shfaqi personalitet në fushë, duke e kapur shpesh herë edhe të pavendosur mirë skuadrën vendëse, por më pas u desh një korsim i Dokës nga e djathta dhe Ngo nuk fali, duke e dërguar topin në rrjetë. Natyrisht, edhe dalja e gabuar e portierit mik, Stazhilla, ishte një ndihmë për bardheblutë në atë moment. Mungesa e Nuabuezes i penalizoi jo pak miqtë.

Laçianët treguan edhe një herë se janë një kockë e fortë për këdo, por nga ana tjetër janë shumë të varur nga golashënuesi më i mirë i kampionatit. Ndërkaq, Tirana vazhdon të marshojë edhe kur nuk shkëlqen në fushë, por titulli fitohet pikërisht me fitore si këto.

Fakti që bardheblutë nuk dorëzohen kurrë dhe një pjesë të madhe të golave nën drejtimin e Egbosë i kanë shënuar pikërisht pas minutës së 70-të, tregon jo vetëm përgatitjen e lartë fizike, por edhe një vetbesim kampionësh. Kjo ishte fitorja e 16-të në kampionat dhe Tirana arrin në kuotën e 53 pikëve, duke shtuar ndjeshëm presionin te Kukësi dhe Partizani që e ndjekin. Me siguri, populli bardheblu bën tifo për Skënderbeun e Ilir Dajës sot kundër Kukësit.

TIRANA-LAÇI 1-0

Ngo 73′