TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një incident ka ndodhur përpara fillimit të ndeshjes së Gjermanisë me Hungarinë në Mynih.
Një tifoz gjerman, ka vrapuar në fushë, me flamurin LGBT në duar, në shenjë proteste ndaj ndalesës që UEFA i bëri ndriçimit të stadiumit me ngjyrat e ylberit dhe në solidaritet me komunitetin LGBT në Hungari.
Tifozi hyri në fushë gjatë himnit të Hungarisë dhe doli përpara futbollistëve hungarezë me flamurin në duar. Pak çaste më pas, ai u neutralizua nga forcat e sigurisë. Incidenti nuk u transmetua nga regjia qëndrore, por po bën xhiron e mediave dhe rrjeteve sociale.
Ditët e fundit ka patur polemika të shumta, për shkak të një vendimi kontrovers të UEFA, për të mos lejuar ndriçimin e stadiumit të Mynihut, Allianz Arena, me ngjyrat e ylberit, në solidaritet me komunitetin LGBT në Hungari, pas kalimit të një ligji anti-gay nga qeveria e kryeministrit Viktor Orban. Kërkesa për ndriçimin e stadiumit ishte bërë nga kryebashkiaku i Mynihut.
UEFA deklaroi se kërkesa për ndriçimin e stadiumit ishte e një natyre "politike", çka solli reagime mjaft të forta kundërshtie, të shumë tifozëve, aktivistëve të të drejtave të njeriut, por edhe solidaritet nga ekipet dhe organizatat e njohura të botës, që modifikuan logot e tyre duke shtuar ngjyrat e ylberit.
Po kështu, disa prej stadiumeve në Gjermani, janë ndriçuar ditën e sotme me ngjyrat e ylberit, për të dërguar një mesazh për barazinë dhe të drejtat e komunitetit LGBT.
Një ditë më parë, kryebashkiaku i Mynih, Dieter Reiter, u shpreh se do të ngrejë flamurin LGBT në Bashki.
“Ne në Mynih, nuk do të lejojmë të dekurajohemi për të dërguar një mesazh ndaj Hungarisë dhe botës“, tha Reiter.
UEFA sqaroi se nuk i konsideron ngjyrat e ylberit si një simbol politik, se vendimi i tyre ishte keqkuptuar dhe se "UEFA është krenare që vesh ngjyrat e ylberit", duke i vendosur edhe në logon e vet.
/TPZ.al/