AKTUALITET, 22 September 2026, 14:47

Thatësira rrezikon mbjelljen e grurit/ Fermerët në Fier: Reduktojmë sipërfaqen

Rendimenti i ulët i drithërave kryesisht i misrit nuk është e vetmja pasojë e thatësirës së këtij sezoni në Fier. Në mungesë të shirave edhe përgatitja e tokës për mbjelljen e grurit nuk ka nisur ende, ndërkohë që thatësira po vazhdon edhe në vjeshtë.

Shtatori shënon nisjen e sezonit bujqësor me plugimin dhe frezimin e tokës, për të mbjellë grurin dhe drithërat e tjerë gjatë muajit nëntor. Kjo vonesë sipas fermerëve mund të çojë në dështim të gjithë sezonit të mbjelljeve, nëse nuk bie shi deri në nëntor. Afati i fundit i mbjelljes së drithërave është muaji nëntor por deri atëherë toka duhet përgatitur dhe, për këtë fazë paraprake duhet të bjerë shi.

Në mos dështimin, vonesa pritet të sjellë ulje të sipërfaqeve me drithëra. Me sytë nga qielli, myzeqarët shpresojnë se do të arrijnë të paktën të mbjellin grurin e bukës. Shifrat e këtij sezoni në Myzeqe, tregojnë ulje të sipërfaqeve dhe rendimentit të drithërave me shkaktar kryesor, thatësirën.

Misri si kulturë qe kërkon vaditje intensive, është më i dëmtuari. Në të gjithë qarkun u mbollën 8500 ha grurë dhe 10 517 ha misër. Krahasuar me një vit më parë dy kulturat kryesore te drithërave qe mbillen ne Myzeqe, janë tkurrur me 230 ha.