AKTUALITET, 26 Qershor 2019, 13:33

“Tërmet, tërmet”, Gjiknuri flet sërish për përgjimet e “Bild”: Pse i mora në Dibër çunat problematik

“Tërmet, tërmet”, Gjiknuri flet sërish për

Ish-minsitri, Damian Gjiknuri ka folur sërish për përgjimet e publikuara nga “Bild”, ku ai dëgjohej të komunikonte me zyrtarë vendor në Dibër për vota.  Në një intervistë për televizionin lokal “6+1 Vlora”, është pyetur për përgjimet e “Bild” me objekt zgjedhjet e pjesshme lokale të Dibrës, mbajtur në 11 Shtator 2016. Gjiknuri ka dhënë detaje për secilin prej bisedave, duke thënë se në bisedat e tij nuk ka asgjë antiligjore dhe se rezultati i zgjedhjeve të vitit 2017 në të njëjtin territor, ka rikonfirmuar atë të vitit 2016. Sipas tij, nëse fitorja me 4 mijë vota kur ai ishte drejtues politik në Qarkun Dibër ishte një termet, rezulton se një vit më pas kur ai nuk ka qenë fare në këtë qark të jetë shndërruar në cunam politik. PJESË NGA INTERVISTA

Z.Gjiknuri, në një prej telefonatave thuhet “termet, termet”. Çfarë keni dashur të thoni me këtë shprehje?

Termet ishte ngjarja politike me përmasa të mëdha siç ishte fitorja shumë e rëndësishme për Bashkinë Dibër, për mua si politikan por edhe për Partinë Socialiste. Unë po flisja me një përfaqësues partie aleate që ishte faktor i rëndësishëm atje. Ne kishim një muaj që ishim nën sulmin e Partisë Demokratike. Deputetët e PD erdhën me hordhi aty nga gjithë Shqipëria duke dhunuar njerëzit tanë. Janë rrahur komisioner, policia ka dhe denoncimet. Makina të funksionarëve të Partisë Demokratike që nuk i ndalonin policisë. U godit administratori i një komune në krye të detyrës, u rrah nga banda të Partisë Demokratike. Asnjë nuk e thotë këtë fakt por merren me shprehjen “çunat problematik” që paskam thënë unë. Në fund të fundit çfarë ishin ata? Disa militant të Partisë Socialiste të cilët ishin më të gatshëm dhe mund të përballeshin me një sulm fizik.

Z.Gjiknuri, nuk është se ishin problematik me drejtësinë këta çunat?

Çfarë problemesh kishin ata me drejtësinë?! Çfarë bënë ata? Goditën njeri? Kërcënuan njeri? A thoshte atëherë Partia Demokratike kemi kapur në flagrancë duke shpërndarë para? Ku janë këta? Pra, trupat e Partisë Demokratike kapnin gjoja njerëz që ndanin para.

Pse i mbanit çunat problematik me vete? Çfarë ishin ata që të sqarohet dhe opinion?

Opinioni nuk ka nevojë të sqarohet për këtë se e kanë të qartë të gjithë ata që janë marrë ndonjëherë me zgjedhje. Kur ti vjen me njerëz dhe kërkon të rrahësh përfaqësuesit e Partisë Socialiste edhe ne do të kemi disa njerëz që do rrinë për tu mbrojtur aty.

Ishin problematik se ishin vetëm të fortë fizikisht?

Ka tipa njerëzish që janë më të prirur për ta përballuar konfliktin fizik se sa disa të tjerë. Kaq! Në fund të fundit ne nuk përdorëm asnjë mjet antiligjor dhe nuk doli që njerëzit tanë të kishin rrahur njeri apo të kishin krijuar ndonjë incident. Një ditë përpara në Maqellarë, 40 veta të Partisë Demokratike rrahën nipin e shefit të shtabit aty, rrethuan qëndrën e Maqellarës. Të nesërmen, njerëzit tanë ishin të frikësuar përfshirë një pjesë të komisionerëve. Kërkonin vëzhgues dhe kërkonin njerëz që ti kishin afër nëse do shkonte dikur ti kërcënonte. Kjo është e vërteta. Nuk kam asnjë merak dhe le të thonë çfarë të duan. Ne nuk ishim aty që ti linim territorin rrugaçëve të Partisë Demokratike. Ne, ato qendra do ti mbronim edhe me njerëzit tanë patjetër dhe ashtu ndodhi. I mbrojtëm dhe procesi vajti shumë në rregull.