AKTUALITET, 14 Nëntor 2020, 14:20

Tenderi i ri/ Bashkia do të "dixhitalizojë" fëmijët lypës duke i numëruar, por kur do të ndihmohen?!


Një nga problemet e rënda sociale në Shqipërisë, është fenomeni i fëmijëve lypës, të cilët shfrytëzohen për para nga tutorët e tyre.

Edhe pse ka në dukje një përpjekje disa vjeçare për të adresuar problematikën e tyre, duket se sërish jemi në pikën zero. Strategjitë për të ndihmuar këta fëmijë, janë të kushtueshme dhe kanë marrë një sasi të konsiderueshme të parave publike, por zgjidhja për ta, ende nuk ka ardhur.

Bashkia e Tiranës, është kujtuar në vitin 2020, që të fillojë "dixhitalizimin" e këtyre fëmijëve.

Në datën 16 nëntor 2020, do të shpallet fituesi i tenderit të organizuar nga Bashkia e Tiranës, për t'i identifikuar elektronikisht këta fëmijë. Tenderi me titullin zyrtar ”Digjitalizimi i Procesit të Identifikimit dhe Raportimit të Fëmijëve Shfrytëzuar Ekonomikisht dhe në Situatë Rruge”, e ka vlerën 5 800 003 Lekë.

Këto para nuk, nuk do t'u shkojnë fëmijëve për ushqim e për libra, por do të shpenzohen për "dixhitalizimin" e tyre.

Për të bërë këtë proces Operatorit Ekonomik duhet të realizojë dhe ofrojë:1. Sistemin Elektronik për identifikim dhe raportim të  fëmijëve të shfrytëzuar ekonomikisht dhe në situatë rruge. 2. pajisje tablet; 1 trajnim për përdoruesit e sistemit dhe 4. Mirëmbajtje të sistemit për 24 Muaj.

Dokumentet e Tenderit nuk tregojnë se cila strukturë do të përdorë këtë sistem elektronik, por përcaktohet që shërbimet do të kryhen në Sheshin Skënderbej. Sistemi me identifikim në kohë reale do të jetë funksional tre muaj pas lidhjes së Kontratës.

Veliaj i ka "ndihmuar" gjithmonë me retorikën e tij, fëmijët lypsës dhe ka tetë vjet që po punon për këtë çështje.

Kur ishte ministër i Mirëqenies Sociale, rrëfeu për herë të parë publikisht se ai vetë ishte fëmijë i një familjeje që ka jetuar me ndihmë sociale. "Unë jam dikush që është rritur me ndihmë ekonomike me një mama që duhet të rriste dy fëmijë. Dolëm në konkluzionin që një fëmijë duhet të vazhdonte shkollën", tha Veliaj për veten.

Sapo u bë ministër, projekti i parë që bëri ishte numërimi i këtyre fëmijëve dhe dixhitalizimi i ndihmës ekonomike.

Pas një pune 2 vjeçare, më 25 prill 2015 përfundoi numërimi i fëmijëve të rrugës dhe u krijua edhe një hartë me vendet ku ata qëndronin dhe lypnin.

Projekti përfshinte hartëzimin e vendndodhjeve; numërimin (në dy faza); Konsultimi i fëmijëve dhe informatorëve kyç nëpërmjet intervistave ballë për ballë; Pyetësorë të mbyllur me informatorët kyç; dhe diskutime në grupe me fëmijët dhe anëtarët e komunitetit. Intervista përfundimtare përfshinte 50 pyetjet që mbulonin të gjitha çështjet kyçe të studimit

Nga ky studim dolën 10 aspekte pozitive të të jetuarit në rrugë dhe 10 anë negative të kësaj jetese. Për herë të parë u dha përkufizimi. “Fëmijë në situatë rruge është fëmijë nën moshën 18 vjeç të cilët kanë njëfarë lidhjeje me rrugën, zakonisht prej të jetuarit dhe/ose të punuarit aty, në baza stinore apo kalimtare”.

Nga anketimi numerik identifikoi gjithsej 2527 fëmijë në rrugë, në 12 qarqe, një e treta e  të cilëve janë në Tiranë.

Veliaj, edhe më pas, në detyrën e kreut të Bashkisë Tiranë ka vazhduar numërimin, sepse ky ka qenë prioritet i tij. Në një rast tjetër, ne Ditën ndërkombëtare të këtyre fëmijëve në 12 prill 2018, nga sheshi Skënderbej.  Këta fëmijë po bëheshin të bezdisshëm dhe prishnin imazhin e kryeqytetit.

“Kushdo qytetar që shikon një fëmijë në situatë rruge ka misionin e qytetarit që ta raportojë”, porositi kryebashkiaku Veliaj dhe shtoi që nuk duhet t’u japin monedha lypësve.

Pas atij fjalimi, policia u vërsul dhe i zhduku disa ditë nga rrugët fëmijët e shfrytëzuar dhe tutorët e tyre, por më pas jeta vazhdoi normalisht si më parë dhe ata vijuan të shfrytëzohen.

Misioni i Veliajt ndaj këtyre fëmijëve nuk ka përfunduar. Të dhënat e mbledhura nga raportimet dhe anketimet, nga survejimi dhe intervistimi do të dalin në një monitor publik. Fëmijët e shfrytëzuar tashmë do të dixhitalizohen, por mbetet e paqartë se kur do të ndihmohen ata konkretisht, përveç përpjekjeve burokratike që vetëm kanë sjellë numërimin e herëpashershëm të tyre.

/TPZ.al/