AKTUALITET, 14 Nëntor 2020, 11:14

“84% e bizneseve në krizë”, Tabaku: Qeveria po ushtron presion me tatimorët


Ish-deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka reaguar sot lidhur me shqetësimet e biznesit në Shqipëri si pasojë e atyre që ajo i konsideron si politika shtrënguese të qeverisë Rama.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Tabaku shprehet se “84% e bizneseve raportojnë se preken nga kriza, qeveria merr vendime antikushtetuese t’i bllokoje llogaritë jo vetëm pronarit të biznesit. Do të ndryshonin dhe kushtetutën me akt normativ, tani mendojnë se urdherat e ministrave vlejnë më shumë se kushtetuta!”

Ish-deputetja ka shpërndarë edhe një artikull të revistës “Monitor” ku kryetitull janë ndryshimi i procedurave tatimore, ku për bizneset debitorë do të lëshohen urdhra bllokimi të llogarive, si dhe për ortakët dhe administratorët.

“Dhe në ditët e fundit në ikje mendojnë veç si të shtrëngojnë biznesin, të ushtrojnë presion me tatimore te dera me vendime antikushtetuese. Në vend të politikave lehtësuese vendosin dhunën e presionin”, shton Tabaku.