AKTUALITET, 22 Dhjetor 2017, 20:09

Tenderi i parë i kryeprokurores së re, 150 milion lekë për bileta avioni

Kryeprokurorja e re, Arta Marku, e zgjedhur mes flakadanëve, tymueseve dhe dhunës në Kuvend, ka filluar punën normalisht. Krahas kontrollit të prokurorëve dhe personelit, Marku ka firmosur edhe tenderin e parë. Tpz.al ka mësuar se më datë 20 dhjetor, Marku ka hapur një tender me objekt “blerje bileta të transportit ajror ndërkombëtar”, për Prokurorinë e Përgjithshme. Fondi për këtë tender është 150 milionë lekë dhe kohëzgjatja e kontratës për ekzekutimin është dy vjet, duke filluar që prej datës të nënshkrimit të marreveshjes.

Në dokumente thuhet gjithashtu se organi i akuzës nuk mund të bëj planifikimin e udhëtimeve që do të bëjnë punonjësit e Prokurorisë së Përgjithshme, pasi për nga vetë natyra e këtyre aktiviteteve, vendi dhe numri i punonjësve caktohet, vetëm pak kohë para zhvillimit të aktivitetit. Autoriteti kontraktor nuk mund të përcaktoj sasinë totale të biletave, vendin (destinacionin) dhe datën e udhëtimeve.

“Ky shërbim do të kryhet në të gjitha kontinentet e botës si destinacione të mundshme. Autoriteti kontraktor në mënyre periodike do të evidentojë kërkesa për blerjen e biletave. Procesi i rihapjes së konkurimit për lidhjen e kontratës do të zhvillohet sa herë që AK do të ketë nevojë dhe të dhëna të mjaftueshme për blerje biletash” thuhet në këto dokumente.

Sipas tyre, kriteri i përcaktimit të ofertës fituese për kontratën e bazuar në marrëveshjen kuadër, në fazën e rihapjes së konkurrimit do të jetë çmimi më i ulët i biletës së ofruar, por në çdo rast nuk duhet të tejkalohet  marzhi i fitimit të deklaruar në ofertat e shpallura fituese./TPZ.AL/