AKTUALITET, 27 Korrik 2020, 13:22

Të dënuar për vepra të rënda, një prej tyre me burgim të përjetshëm. Kush janë ‘të fortët’ që piketoi sot OFL-ja


Pesë të dënuar për vepra të rënda janë piketuar sot nga OFL-ja. Njëri prej tyre, banues në Korçë i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me burgim të përjetshëm, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Ndërsa katër të tjerët banues në Durrës për vepra të tjera penale.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

K. M., banues në Korçë, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me burgim të përjetshëm, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Armëmbajtja pa leje”;

N. (S.) D., banues në Durrës, i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim”;

A. K., banues në Durrës, i dënuar nga Gjykata e Durrësit, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit në rrethana rënduese”;

A. P., banues në Durrës, i dënuar nga Gjykata e Durrësit, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit në rrethana rënduese”;

E. M., banues në Durrës, i dënuar nga Gjykata e Durrësit, për veprën penale “Vjedhja me armë”.