AKTUALITET, 18 Tetor 2018, 09:22

Taulant Balla përsëri në Prokurori, sot padi të re

Taulant Balla përsëri në Prokurori, sot padi të re

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka shkuar përsëri mëngjesin e sotëm në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dorëzuar provat e reja ndaj kryedemokratit Lulzim Basha, deputetit Ervin Salianji dhe ish-drejtorit të policisë bashkiake Florenc Hoxha.

Balla i akuzon të tre për “Shpifje” dhe “kallzim të rremë”.

Pas videos së dytë për “Babalen”, ku shfaqet Fredi Alizoti, të cilin e interviston ish-kreu i policisë bashkiake, ndërsa publikimin e bëri deputeti i PD-së Ervin Salianji.

Në video dëgjohet Alizoti teksa thotë se i janë ofruar para nga Taulant Balla për të dëshmuar kundër Babales, e duke thënë se ai është aktori në audiopërgjimin e pretenduar me Agron Xhafajn.

Padia

“Me përgjegjësinë time të plotë unë kallëzuesi Taulant Balla deklaroj se:

1. Nuk kam kryer asnjë veprim apo mosveprim për të ndihmuar shtetasin Agron Xhafaj. Nuk kam kryer asnjë veprim apo mosveprim për të gjetur apo paguar persona të ndryshëm me qëllim krijimin e provave në favor të shtetasit Agron Xhafaj.

2. Gjatë gjithë veprimtarisë dhe jetës sime nuk kam ndihmuar asnjë shtetas për t’i shpëtuar hetimit dhe ndjekjes penale.

Deklarimi i të kallëzuarve prej meje Lulëzim Basha, Ervin Salianji dhe veprimet e Florenc Hoxhës në fabrikimin e provave sipas te cilave unë jam përfshirë në veprimtari kriminale, janë tërësisht të pavërteta dhe të rreme”, deklaron Balla në padinë e depozituar në prokurori.

Ai e akuzon kreun e PD-së se nga selia e PD ka përhapur informacione të rreme për të.

“Radhës së deputetëve të Partisë Demokratike, për shpifje të gjithëllojshme ndaj personit tim, i është bashkuar së fundmi deputeti i radhës z.Lulëzim Basha, njëkohësisht Kryetar i Partisë Demokratike.

I kallëzuari prej meje Lulëzim Basha, në datën 15.10.2018, nga foltorja në selinë e Partisë Demokratike, me dijeni të plotë, ka përhapur informacione konkrete, të rreme dhe me qëllim të drejtpërdrejtë diskreditimin tim si personalisht ashtu edhe si funksionar publik.

I kallëzuari prej meje ka zgjedhur që përhapjen e informacioneve të rreme ta kryejë publikisht, nëpërmjet një deklarate për mediat dhe e cila ka zgjatur 6 minuta.

I kallëzuari ka deklaruar sic vijon:

“…Fakte per inkriminimin e Taulant Balla per te krijuar dhe paguar nje deshmitar te rreme me qellim mbrojtjen e trafikantit te droges Agron Xhafa…”

Sipas kësaj deklarate, i kallëzuari prej meje ka transmetuar në publik mesazhin se une kam kryer vepra penale kundër drejtësisë, si “Moskallëzim krimi” (neni 300 K.P), “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” (neni 301 i K.P) dhe “Përkrahje e autorit të krimit” (neni 302 i K.P), në bashkëpunim me persona të tjerë, edhe këta funksionarë të lartë të shtetit”, shkruan Balla për Bashën.

TPZ.AL