AKTUALITET, 2 Tetor 2018, 11:40

Taulant Balla kërkon qelizat telefonike, në kompaninë ku gruaja është drejtoreshë...

Taulant Balla kërkon qelizat telefonike, në kompaninë ku gruaja

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, duket se kërkon të marrë vetë në fre hetimet për akuzat që ka bërë ish nënkomisari Emiljano Nuhu. Ai i ka dërguar një shkresë zyrtare kompanisë telefonike, ku është abonent, për të zbardhur qelizat telefonike që vërtetojnë vendndodhjen e tij në datën 21 Korrik.

Burime të ABC News konfirmuan se shkresa zyrtare e Ballës ka mbërritur në kompaninë celulare në të cilën është abonent. Objekti i kësaj kërkese është zbardhja e vendodhjes së qelizës telefonike të aparatit të tij celular për datën 21 korrik, datë kur Nuhu pretendon se Balla ka qenë i pranishëm në zyrën e tij në Stacionin Policor të Fushë Krujës.

Por ka një problem, në këtë kompani telefonike punon edhe gruaja e Taulant Ballës, Iris Pekmezi Balla, e cila mban postin e drejtores së Drejtorisë Juridike dhe të Dhenave Personale të “Telekom Albania”.  Pra, zoti Balla po i kërkon gruas zbardhjen e qelizave telefonike. Se cili do të jetë rezultati i kësaj kërkese, nuk do shumë mend për ta kuptuar.

Por nuk është ky i vetmi problem i kërkesës së Taulant Ballës. Kërkesën për marrjen e qeliza telefonike celulare nuk mund ta bëjë dot një qytetar, qoftë ky edhe deputet. Sipas ligjit vetëm prokuroria mund të kërkojë qelizat telefonike nga një kompani celulare, kështu që kërkesa e Ballës është minimumi e paligjsshme dhe qesharake pasi i drejtohet gruas së tij.