AKTUALITET, 22 Dhjetor 2017, 09:41

Taksa e infrastrukturës, Durrësin e “shpëton” Plani Vendor i pamiratuar, ulje e të ardhurave me 25% në 2018

Taksa e infrastrukturës, Durrësin e “shpëton” Plani

Durrësi, një nga bashkitë me dinamikën më të madhe të ndërtimeve në vitin 2018 do të përjetojë një periudhë më të vakët ndërtimesh. Gjithsesi kjo nuk do të thotë që do të mungojnë tërësisht. Bashkia e qytetit bregdetar ka bërë me dije se fakti që ende nuk është miratuar Plani i Përgjithshëm Vendor nga Këshilli Bashkiak do të rezultojnë me ulje të të ardhurave nga taksa në infrastrukturë me 25% në raport me vitin 2017.

“Bazuar në ligjin nr. 9632 dt.30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore” i ndryshuar, ligjin nr. 107/2015 ‘Për planifikimin dhe  zhvillimin e territorit’ neni  39 dhe neni 46 niveli i taksës së ndikimit në infrastrukturë  për ndërtimet e reja jopublike është parashikuar si më poshtë:

Në vitin 2018 parashikohet një ulje prej 25% e të ardhurave, mbasi nuk është miratuar ende nga këshilli i bashkisë PPV, më pas në vitin 2019 pritet rritja e ndërtimeve, pra parashikohet një rritje me 33% e të ardhurave dhe me pas rritja vijon me 2% nga ndikimi i rritjes ekonomike dhe inflacionit” thuhet në dokumentin e Bashkisë.

Konkretisht ndërsa për 2017 Bashkia pret që ta mbyllë vitin me një arkëtim në buxhet nga kjo taksë në nivelin 343.2 milionë lekë. Në vitin 2018 pritshmëria është për të paktën 257 milionë lekë.

Gjithsesi këto të ardhura në rënie do të kompensohen disi nga të tjera zëra. Nën ndryshimin që po i bëhet formulës së taksimit të ndërtimeve edhe Bashkia e Durrësit do të marrë të paktën 9 milionë lekë më shumë në vitin 2018 në raport me vitin aktual kur pritshmëria është për një arkëtim prej 392 milionë lekësh.

Buxheti i vitit 2018 i Bashkisë së Durrësit parashikon në total të ardhura nga burimet e veta rreth 1.5 miliardë lekë ndërkohe që kësaj shume i shtohen edhe të ardhurat nga buxheti i shtetit si dhe të ardhurat e trashëguara nga viti i mëparshëm. Në total zëri shkon rreth 4.6 miliardë lekë.

Shpenzimet nga ana tjetër janë parashikuar rreth 4.8 miliardë lekë. Lidhur me diferencën që mund të ekzistojë mes palëve bashkia ka si opsion edhe huamarrjen.

Të gjitha detajet e buxhetit 2018, planit afatmesëm, taksat dhe tarifat e reja pritet që të kalojnë këtë të shtunë për diskutim në Këshillin Bashkiak të qytetit.