AKTUALITET, 22 Dhjetor 2017, 09:19

"Hetim politikanëve të lidhur me krimin, edhe Tahirit", zbardhet biseda e Donald Lu me Kryeprokuroren

"Hetim politikanëve të lidhur me krimin, edhe Tahirit",

Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku tre ditë pasi mori detyrën nga Parlamenti ka pritur në zyrën e saj, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu. Diplomati amerikan shoqërohej edhe nga kreu i i misionit të OPDAT, Xhon Smaibert dhe takimi me drejtuesen e re të organit të akuzës ka zgjatur për rreth 30 minuta.

Takimi mes Lu dhe kryeprokures Marku vjen në një situatë të nxehtë politike, pasi opozita e ka kundërshtuar të gjithë procesin e përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm dhe ka paralajmëruar protesta popullore kundër qeverisë.

Burime për “Panorama” nga takimi i zhvilluar në Prokurorinë e Përgjithshme konfirmojnë se diplomati amerikan, Donald Lu ka inkurajuar kryeprokuroren e Përgjithshme që të nxisë prokurorët që të luftojnë krimin dhe korrupsionin në nivelet më të larta.

Të njëjtat burime pranojnë se ambasadori i SHBA-së ka inkurajuar kryeprokuren Arta Marku për të hetuar edhe politikanë të lidhur me krimin, duke përfshirë edhe rastin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Gjatë takimit, Lu ka shprehur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për zgjedhjen e Markut në detyrën e Prokurores së Përgjithshme dhe i ka kërkuar asaj që të ushtrojë detyrën e ngarkuar nga Parlamenti në mënyrë të pavarur dhe e pandikuar politikisht.

Ky ishte takimi i parë publik që diplomati amerikan Donald Lu zhvilloi me kryeprokuroren e re, Arta Marku pas zgjedhjes së saj të hënën nga parlamenti. Në ditët e kaluara, Lu është takuar me dy drejtuesit e forcave kryesore opozitare në vend, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi.

MBËSHTETJA

Formimi dhe specializimet e zhvilluara në Shtetet e Bashkuara kanë bërë që mbështetja e amerikanëve për emrin e Arta Markut si kryeprokurore e Shqipërisë të jetë e madhe. Ndonëse jopublikisht, është e konfirmuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nxitën zgjedhjen e saj në krye të institucionit të akuzës në vend.

Konfirmimin se Arta Marku është përzgjedhje e Shteteve të Bashkuara dhe jo i kryeministrit Rama e dha për “Panorama” edhe ish-deputetja dhe e afërmja e saj, Albina Deda. Sipas ish-deputetes, SHBA vlerësoi integritetin dhe korrektësinë në ushtrimin e detyrave si prokurore nga Marku që i besuan asaj drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

“Një gjë duhet të them me bindje, se kryeprokurorja e re Arta Marku nuk është prurja apo investimi politik i Edi Ramës. Arta është një investim dhe përzgjedhje e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ka kryer shkollime dhe specializime në SHBA në shërbim të formimit të saj profesional dhe duke vlerësuar integritetin e treguar në detyrat që ka mbajtur, edhe është mbështetur nga SHBA në marrjen e kësaj detyre. Jam tërësisht e bindur se Edi Rama nuk përzgjidhte kurrë një njeri, familja e së cilës ishte me bindje të djathta. Por, siç e theksova edhe më sipër, Marku ka qenë përzgjedhja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak të formimit dhe integritetit të lartë profesional që ajo ka treguar”, deklaroi Deda.