BOTA, 7 November 2026, 20:19

Sulmi me armë në Krakov, 25-vjeçari hap zjarr nga makina! 6 viktima dhe 15 të plagosur, momenti kur policia neutralizon autorin (VIDEO)

Sulmi me armë në Krakov, 25-vjeçari hap zjarr nga makina! 6

Një sulm i rëndë me armë zjarri në qendrën historike të Krakovit, në jug të Polonisë, ka përfunduar me gjashtë viktima dhe të paktën 15 persona të plagosur, mes tyre edhe dy efektivë policie. Njëri prej policëve ndodhet në gjendje kritike. Sipas autoriteteve, viktimat janë katër gra dhe dy burra.

Lajmi është bërë i ditur nga një zëdhënës i shërbimit zjarrfikës, i cili deklaroi se të shtënat janë kryer nga një automjet në lëvizje në Sheshin Kryesor të Tregut.

Policia ka bërë të ditur se autor i dyshuar i sulmit është “një 25-vjeçar polak, i cili është ndaluar dhe ndodhet tashmë në paraburgim”.

Sipas informacioneve paraprake, 25-vjeçari ka mbërritur në sheshin kryesor të qytetit me një automjet të zi të markës Subaru, pa targa, dhe ka hapur zjarr në mënyrë të pakontrolluar ndaj kalimtarëve, duke përdorur një pushkë gjysmëautomatike AR-15.

Dëshmitarët okularë kanë deklaruar se autori ishte i veshur me uniformë kamuflazhi dhe dyshohet se përdorte një armë ushtarake.

“Ndodhesha në afërsi dhe dëgjova breshëri të shtënash. Gjithçka ndodhi pranë Sheshit të Tregut. Fillimisht dëgjova tre të shtëna, më pas, në një vend tjetër, të shtënat rifilluan”, rrëfeu një dëshmitar okular.

Autori i sulmit ka qëlluar edhe ndaj efektivëve të policisë që po tentonin ta arrestonin. Gjatë përplasjes, ai ka mbetur gjithashtu i plagosur dhe më pas është transportuar në spital.

“Një tragjedi e papërshkrueshme”

“Ka viktima dhe të plagosur. U bëj thirrje njerëzve të kërkojnë strehim në vende të sigurta”, deklaroi më herët një prej efektivëve të policisë.

Ndërkohë, ekipet e shpëtimit vijojnë punën pranë Bazilikës së Shën Marisë, ndërsa në shesh është vendosur edhe një helikopter i shërbimeve të emergjencës.

Ministri polak i Drejtësisë, Waldemar Żurek, u ka bërë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të mos pengojnë punën e ekipeve të shpëtimit.

“Ndaj dhimbjen e familjeve dhe të afërve të viktimave të kësaj tragjedie të paimagjinueshme. Autori i sulmit ka mbetur i plagosur dhe është ndaluar. Shteti po funksionon”, ka shkruar ministri, duke siguruar se autoritetet do të bëjnë të mundur që autori “të mbajë përgjegjësi të plotë për këtë krim”.

Reagimet e para nga liderët ndërkombëtarë

Kryeministri polak, Donald Tusk, e ka cilësuar ngjarjen si një “sulm tragjik me armë zjarri”, përmes një postimi në platformën X.

“Ministri i Brendshëm më mban të informuar për situatën. Policia po heton rrethanat dhe të gjitha detajet e sulmit”, ka shkruar ai, duke shprehur “ngushëllimet e tij më të sinqerta për familjet dhe të afërmit e viktimave” dhe duke bërë “një apel të përzemërt për politikanët e të gjitha kampeve politike që të mos e shfrytëzojnë politikisht” këtë ngjarje.

Edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka reaguar përmes një mesazhi në X, duke dënuar sulmin dhe shprehur solidaritetin me popullin polak.

“Një krim tronditës. Në emër të popullit ukrainas dhe personalisht, u shpreh familjeve dhe të afërmve të viktimave ngushëllimet e mia më të sinqerta. Nuk mund të ketë asnjë justifikim për këtë sulm dhe kemi besim se përgjegjësi do të dalë para drejtësisë”, ka shkruar Zelensky.

“Ukraina qëndron në solidaritet me Poloninë dhe popullin polak. Njerëzit kanë të drejtë të jetojnë të sigurt”, ka shtuar ai.

Reagim ka ardhur edhe nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, e cila e ka cilësuar ngjarjen si një tragjedi me pasoja që shkojnë përtej kufijve të Polonisë.

“Humbja tragjike e jetëve njerëzore në sulmin me armë zjarri në Krakov është një tragjedi, pasojat e së cilës do të ndihen shumë përtej kufijve të Polonisë”. Kështu ka shkruar në rrjetet sociale Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas.

“I kam shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta” ministrit të Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, shton Kallas.

“Mendimet e mia janë me viktimat, familjet e tyre dhe ekipet e shpëtimit”, thekson shefja e diplomacisë evropiane. “Në këtë moment zie, Polonia nuk është vetëm”.

Edhe Italia ka shprehur solidaritetin e saj me Poloninë. Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, deklaroi se vendi i tij është “në krah të Polonisë në këtë moment të tmerrshëm”, duke shprehur “dhimbjen e tij të thellë për viktimat e sulmit të tmerrshëm me armë zjarri që ndodhi në Krakov”.