BOTA, 7 November 2026, 18:29

Musk “djeg” 450 milionë dollarë në zgjedhjet amerikane/ Miliarderi financon republikanët por pëson humbje historike në Teksas

Musk “djeg” 450 milionë dollarë në zgjedhjet

Elon Musk, njeriu më i pasur në botë, ka pësuar një humbje të kushtueshme në zgjedhjet afatmesme në SHBA, pasi afro 450 milionë dollarët që investoi për të mbështetur kandidatët republikanë nuk arritën të siguronin rezultatin e synuar në Teksas. 

Pjesa më e madhe e financimit, rreth 212 milionë dollarë, shkoi për fushatën e kandidatit republikan për Senatin në Teksas, Ken Paxton. Kjo garë u konsiderua si më e kushtueshmja në historinë amerikane.

Megjithatë, investimi i madh financiar nuk mjaftoi përballë kandidatit demokrat James Talarico, i cili arriti të fitonte garën, duke i dhënë fund dominimit gati 40-vjeçar të republikanëve në zgjedhjet për Senatin në këtë shtet.

Pas publikimit të rezultateve, Musk reagoi në platformën X me një koment ironik: “Duket se lazerët e mi hapësinorë për të ndërhyrë në zgjedhje nuk funksionuan këtë herë”.

Por humbja politike nuk është e vetmja sfidë me të cilën mund të përballet miliarderi. Sipas “The Telegraph”, ndryshimi i balancave politike në Teksas mund të ndikojë edhe te interesat e tij ekonomike, përfshirë kompanitë Tesla dhe SpaceX, të cilat i zhvendosi në këtë shtet duke përfituar nga lehtësitë fiskale dhe rregullat më pak kufizuese.

Demokrati Talarico ka premtuar rritjen e taksave për korporatat dhe kompanitë më të pasura, ndërsa në fokus të debatit janë vënë edhe qendrat e mëdha të të dhënave që Musk synon të zhvillojë për aktivitetet e tij në fushën e inteligjencës artificiale.

Edhe dy fitore të tjera demokrate në Teksas kanë sjellë premtime për kufizimin e këtyre projekteve. Guvernatorja e re e shtetit, Gina Hinojosa, dhe komisioneri i ri i bujqësisë, Clayton Tucker, kanë deklaruar se do të mbështesin një moratorium për ndërtimin e qendrave të të dhënave deri në përfundimin e studimeve mbi ndikimin e tyre.

Sipas të dhënave të sondazheve pas votimit, 57 për qind e votuesve amerikanë e konsideruan inteligjencën artificiale dhe qendrat e të dhënave si faktor të rëndësishëm në zgjedhjen e tyre. Ndërkohë, 67 për qind e atyre që i vlerësuan këto çështje si të rëndësishme votuan për demokratët.

Artikulli thekson gjithashtu se fitorja demokrate në Teksas mund të hapë rrugën për hetime të mundshme federale mbi aktivitetet politike të Musk, përfshirë rolin e tij në Departamentin për Efikasitetin e Qeverisë (DOGE), si dhe çështje që lidhen me kompaninë Starlink.

Demokratët kanë paralajmëruar se synojnë të shqyrtojnë mënyrën se si Musk ka përdorur ndikimin dhe burimet e tij financiare në politikën amerikane. Megjithatë, deri më tani nuk është konstatuar ndonjë shkelje penale nga ana e tij në lidhje me këto çështje.

Ndërkohë, Talarico ka deklaruar se synon të kufizojë ndikimin e miliarderëve në politikë, duke propozuar ndalimin e komiteteve politike PAC dhe super PAC, përmes të cilave financohen fushatat elektorale.

Në fjalimin e fitores, ai deklaroi se rezultati i zgjedhjeve ishte një mesazh për donatorët e pasur dhe mbështetësit e sistemit aktual politik, duke theksuar se pushteti u përket qytetarëve.

Sipas “The Telegraph”, rezultati në Teksas shënon një goditje për përpjekjen e Musk për të ndikuar në politikën amerikane përmes financimeve të mëdha, ndërsa ngre pikëpyetje mbi të ardhmen e marrëdhënies mes gjigantëve të teknologjisë dhe pushtetit politik në SHBA.