AKTUALITET, 19 Dhjetor 2018, 11:03

Studentët nisim marshimin drejt Kryeministrisë, bllokohen ‘9 Katëshet’

Sot protesta studentore hyn në ditën e 15 të saj. Si çdo ditë studentët kanë planifikuar një ditë më parë se çfarë do të bëjnë për t’i qëndruar stoik vendimit të tyre për plotësimin e 8 kërkesave nga ana e qeverisë.

Ata kanë vendosur që edhe sot të bojkotojnë mësimin, ndërsa kanë lajmëruar që të mblidhen në orën 10:00 tek korpusi universitar.

Studentët zhvilluan më herët një tryezë diskutimi, ku morën edhe vendimin për ecurinë e aksionit të tyre. Njoftimet janë bërë në rrjetet sociale duke vendosur hashtagun “Rama nuk je i mirëpritur”.

“Aty ku nisi historia e arsimit Shqiptar. Aty per te vene me shpatulla pas murit te gjithe bashkefajtoret e ketij sistetemi Arsimor! Korpusi eshte godina e pare universitare e ngritur, pra perfaqeson UT nga e cila dolen te gjithe universitetet e tjera. Aty duhet te jemi te gjithe me te bashkuar se kurre per te cuar zerin tone ne veshin e te gjithe FAJTOREVE!”, thuhej në njoftimin e studentëve në rrjetet sociale.

Studentët e Shkencave Sociale pasi u ulën në një tryezë në fakultetin e tyre, dolën në një përfundim unanim. Ata vendosën që të protestojnë deri të premten dhe me pas ta rinisin tubimin në janar pas pushimeve.

Studentët e fakultetit të Shkencave Sociale dhe ato të Natyrës pasi janë mbledhur tek shkollat e tyre, kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë.

Studentët e Shkencave të Natyrës do të bllokojnë për disa minuta kryqëzimin te ‘9 Katëshet’.