AKTUALITET, 28 Shtator 2019, 13:03

Strazimiri: Venecia na thotë se paskemi pasur një derr demokracie me Enver Hoxhën!


Nga Gent Strazimiri

Ç’prisja të na shpjegonte “Komisioni” …

– Kush është më e rëndësishme “data” apo “gara”?

– Procesi në vetvete ështe “përpikmëri në vend dhe orë takimi” apo “zgjedhje” ?

– Kush është më e rrezikshme për shëndetin e një demokracie që ripërtërihet nga ZGJEDHJET, “të bëhet rrugë” mospjesëmarrja e opozitës në zgjedhje, apo të bëhet zakon që zgjedhjet t’i bëjë qeveria… pa opozitë, pa garë, pa alternativë… E VETME, mjafton që t’i bëjë në “datën” dhe “orën” e caktuar?

Nëse e rëndësishmja në këtë mesele është “data” dhe jo “gara”, “zgjedhja” , opozita (?!), ne paskëshim patur një derr demokracie nën Enver Hoxhën nga 1945-1991 dhe s’e paskëshim ditur…?!

Enver Hoxha, or lum “Komisioni”, i ka zhvilluar zgjedhjet pa opozitë 46 vjet rrjesht, pa i kaluar sekonda, jo ora, jo dita, jo java e “zgjedhjeve” fiks çdo 4 vjet, madje me një seriozitet që s’të leverdiste as të vdisje pa votuar…

Nëse alarmi demokratik që ngre opozita, deri në mospjesëmarrje në farsë, nuk quhet “situatë e jashtëzakonshme” nga pikëpamja e funksionimit të demokracisë, çfarë quhet?

Të lexosh ligjin shqiptar për “situatën e jashtëzakonshme” quhet … lexim ligji, e unë prisja JURISPRUDENCË, për një situatë “sui generis”, të paparashikuar e të paparashikueshme në ligje e kode, e që mori “zgjidhje” po të tillë…

Po nejse, këtë do na e shpjegokësh Gjykata Kushtetuese, sapo ta krijojë me doçkat e veta… qeveria!!!!!