AKTUALITET, 28 Shtator 2019, 09:10

Rejnxhërs gjobit Grezdën, Xherard: Ia thashë në sy në një bisedë burrash, e duan në huazim

Rejnxhërs gjobit Grezdën, Xherard: Ia thashë në sy në


Eros Grezda është gjobitur nga klubi i Rejnxhërs për rolin që kishte në incidentin në ndeshjen e të rinjve ku ai kishte pështyrë një kundërshtar.

Lojtari shkroi në rrjetet sociale se kishte “dy anë në çdo histori”, por shpjegimi i tij nuk ka mjaftuar, pasi klubi i ka vendosur një gjobë, të cilën e konfirmoi sot edhe vetë trajneri Stiven Xherard, i cili theksoi gjithashtu se po shqyrtohej mundësia e huazimit të futbollistit.

“Ne kemi marrë një kërkesë huazimi për Grezdën në dy ditët e fundit. Bordi drejtues po e shqyrton”, shpjegoi Xherard për këtë ofertë që mendohet se është nga Katari, ku merkato mbyllet të hënën.

“Ne kemi marrë një masë disiplinore ndaj tij dhe do t’i mbërrijë letra nga klubi shumë shpejt. Ia kam thënë në sy se çfarë duam të bëjmë në këtë aspekt. Tani klubi do t’i shkruajë në rrugë zyrtare dhe pastaj është në dorën e tij të vendosë nëse e pranon apo do ta apelojë.

Ne kishim një bisedë burrash, privatisht, dhe unë i thashë se çfarë mendoja për incidentin. Ai më tregoi versionin e tij dhe unë i shpjegova se si kishte vendosur klubi ta dënonte në aspektin financiar.

Tani është në dorën e tij. Ai duhet të marrë një vendim kur t’i mbërrijë letra. Nuk i kam thënë se ai nuk do të luajë më për klubin, por që do të ndëshkohej”, shpjegoi Xherard situatën e futbollistit shqiptar.