SPORT, 25 Dhjetor 2025, 17:11

VIDEO/ Lirohet me kusht një ditë pas arrestimit presidenti i Fenerbahçes, momenti kur përlotet para tifozëve turq

VIDEO/ Lirohet me kusht një ditë pas arrestimit presidenti i

Vetëm një ditë ka zgjatur paraburgimi për presidentin e klubit të futbollit të Fenerbahçes në Turqi, Sadettin Saran.

Ai u lirua nga gjykata, pak pasi përfundoi dëshminë, në kuadër të hetimit për gjurmët e kokainës të gjetura në flokët e tij, si dhe për çështjen e përgjithshme të drogës në të cilën dyshohet se është i përfshirë.

Udhëheqësi administrativ i klubit “Kanarinat e Verdha”, siç quhet me nofkën skuadra nga Stambolli, ka siguruar lirimin nga paraburgimi me kushte kufizuese, pasi do të jetë nën mbikëqyrje gjyqësore, sipas vendimit të gjykatës kompetente.

Kështu, në mesditën e së enjtes, më 25 dhjetor, ai u kthye në zyrat e klubit me kolegët e tij, për të gjetur dhjetëra tifozë të Fenerbahçes të mbledhur atje për ta mirëpritur dhe mbështetur.

Pamjet u bënë virale teksa Saran u përlot, i prekur nga mbështetja e tifozëve pas përvojës së keqe që kaloi me arrestimin e tij, në momentin që po hynte në zyrë.