SPORT, 24 Dhjetor 2025, 23:12

Ylli i tenisit amerikan Venus Williams martohet me aktorin Andrea Preti

Ylli i tenisit amerikan Venus Williams martohet me aktorin Andrea Preti

Ylli i tenisit amerikan, Venus Williams është martuar me aktorin Andrea Preti në një ceremoni të dytë të mbajtur në Palm Beach, Florida.

Williams, e cila ka fituar shtatë “grand slam” dhe është motra e kampiones së tenisit Serena Williams, tha se ishte njohur me bashkëshortin e saj në sfilatën e “Gucci” gjatë Javës së Modës në Milano.

“Pas takimeve tona në Londër, e dija që do të martohesha me të. Njerëzit gjithmonë thonë se e dinë, dhe unë e dija”, tha ajo për revistën “Vogue”.

Çifti u fejua më 31 janar 2025 në Toskanë dhe ceremonia e tyre e parë e dasmës u organizua më 18 shtator në Ischia, Itali.

“Ne kishim ëndërr të bënim dasmën tonë në Itali. Por, nuk kishim kohë të mjaftueshme për të bërë dokumentet – për shkak se jam e huaj, mund të duhen rreth tetë muaj. Kështu që vendosëm të bënim një ceremoni të dytë të dasmës”, tha Williams.

Çifti u martua fundjavën e kaluar dhe filloi festimet të hënën e mëparshme – ku familjarët dhe miqtë më të ngushtë festuan në një jaht, të dhuruar nga Serena.

“Ne duam të mirëpresim njerëzit në shtëpinë tonë çdo ditë dhe të gjithë mezi prisnin të argëtoheshin me ne. Ishin italianët dhe amerikanët të gjithë së bashku”, tha Williams.

Festa e nuses u zhvillua dje në verandën e shtëpisë së çiftit ku të ftuarit kërcyen me këngët e Beyonce.

Të premtene kaluar, çifti u martua në gjykatë dhe Williams veshi një fustan të “Morilee New York”.

Preti është një aktor dhe producent i cili ka lindur në Danimarkë dhe pjesën më të madhe të fëmijërisë së tij e kaloi atje para se të transferohej në Itali.

Çifti ndau foto nga dasma e tyre në Instagram, me Venusin që mbante veshur një shumëllojshmëri fustanesh të bardha gjatë festimeve pesëditore.