TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Cristiano Ronaldo mund të kalojë edhe dy vite të tjera te Manchester United, ka sugjeruar Erik ten Hag. Kjo për shkak se në kontratën aktuale të portugezit ekziston opsioni i zgjatjes së saj me një vit.
Megjithatë, zërat e merkatos se CR7 po negocion transferimin diku tjetër, nuk po shuhen. Për momentin, superylli portugez lidhet me Chelsea, Bayern Munich, Sporting dhe Atletico Madrid.
“Peshat e rënda” të Premier League pohojnë se nuk kanë ndërmend ta shesin, me trajnerin e tyre të ri që pretendon se pesë herë fituesi i “Topit të Artë” mund të rrijë në “Old Trafford” deri më 2024:
“Jam i informuar mirë se ai, gjithashtu ka një opsion në kontratë për një vit shtesë me Manchester United. Pra, Cristiano mund të qëndrojë përtej sezonit të ri, por të jem i sinqertë, edhe pse kam nënshkruar këtu për tri vjet, në futboll kurrë nuk i dihet.
Duhet të fitojmë që në fillim, ndaj nuk shikoj shumë përpara. Unë kam një strategji, është një proces, kërkon kohë, por duhet të sigurohemi që në fillim të kemi një ekip fitues”.
Pikëpyetjet u ngritën edhe sezonin e kaluar, pavarësisht 24 golave të shënuar, nëse Ronaldo ishte njeriu i duhur për të udhëhequr sulmin e Manchester United. Megjithatë, Ten Hag nuk ka dyshime se 37-vjeçari legjendar mund të përshtatet në sistemin e tij, duke thënë:
“Unë mendoj se Cristiano është i aftë ta bëjë këtë. Në karrierën e tij ka fituar gjithçka. Unë kam filozofinë timë të lojës. Ne duam të luajmë në një mënyrë të caktuar. Një top-lojtar mund të kontribuojë dhe Ronaldo është një lojtar absolut në skuadrën tonë.
Lojtarët që ken ë dispozicion ta diktojnë mënyrën se si luan. Sidomos lojtarët që shënojnë gola, sepse janë jashtëzakonisht të rëndësishëm për një ekip. Ju e ndërtoni ekipin tuaj rreth tyre”.
Ten Hag heziton të vendosë një datë për rikthimin e Ronaldos në grup. Holandezi ka thënë kur i është kërkuar një përditësim për situatën e portugezit:
“I njëjti status si javën e kaluar në Bangkok, nuk ka ndryshim. Nuk mund t’ju them se kur do të kthehet në Carrington. Ai është duke u stërvitur. Të gjithë e dimë se Ronaldo është një profesionist i nivelit të lartë, me siguri do të jetë në formë. Ky është shqetësimi i fundit që kam”.