SPORT, 7 Qershor 2025, 21:02

Tifozët hedhin gota plastike në fushë gjatë ndeshjes Shqipëri–Serbi, thirrje për vetëpërmbajtje

Tifozët hedhin gota plastike në fushë gjatë ndeshjes

Atmosfera e zjarrtë në “Air Albania” gjatë përballjes Shqipëri–Serbi ka kaluar për një moment në tension, kur tifozët shqiptarë kanë hedhur objekte në fushë, gota plastike, duke shkaktuar ndërprerje të shkurtër të lojës.

Ngjarja ndodhi rreth minutës së 7-të të ndeshjes, teksa situata u bë e ndjeshme për futbollistët serbë, të cilët reaguan menjëherë.

Arbitri i takimit ndërhyri menjëherë për të qetësuar palët dhe ndaloi për pak sekonda zhvillimin e lojës. Në stadium u bë thirrje për vetëpërmbajtje dhe respekt të rregullave të sjelljes, duke kërkuar nga tifozët të shmangin çdo veprim që mund të dëmtojë mbarëvajtjen e ndeshjes apo të sjellë pasoja për Kombëtaren shqiptare.

Autoritetet e sigurisë dhe organizatorët e ndeshjes janë në gadishmëri të lartë, duke monitoruar situatën nga afër për të parandaluar përshkallëzimin e incidenteve. Kjo ndeshje, me një ngarkesë të veçantë historike dhe emocionale, mbetet në vëmendjen e opinionit publik dhe të strukturave ndërkombëtare të futbollit, ndërsa çdo veprim i tifozëve mund të ketë pasoja serioze për përfaqësuesen shqiptare.