SPORT, 7 Qershor 2025, 13:02

Interi zgjedh pasuesin e Inzagit, mungon vetëm zyrtarizimi

Interi zgjedh pasuesin e Inzagit, mungon vetëm zyrtarizimi

Kristian Kivu dhe Interi kanë thënë “Po”. Pas një takimi të parë pozitiv të enjten në mbrëmje, gjatë ditës së djeshme është zhvilluar edhe takimi përfundimtar mes drejtuesve zikaltër, trajnerit rumun dhe përfaqësuesit të tij. Palët kanë rënë dakord për një kontratë dyvjeçare deri në vitin 2027, me një pagë prej rreth 2.5 milionë euro në sezon. Megjithatë, për zyrtarizimin do të duhet ende pak durim. Kivu duhet të zgjidhë disa çështje burokratike me klubin aktual, Parmën, me të cilin ka kontratë deri më 30 qershor.

Vetëm pasi të përfundojnë këto procedura, ai do të jetë gati të nisë zyrtarisht aventurën e tij si trajner i ekipit të parë të Interit. Sipas burimeve nga Italia, prezantimi i tij pritet të bëhet të hënën, vetëm dy ditë përpara nisjes së skuadrës drejt Shteteve të Bashkuara për Kupën e Botës për Klube. Takimi vendimtar u zhvillua dje në selinë e Interit, ku herët në mëngjes mbërriti presidenti Bepe Marota, i ndjekur nga drejtori sportiv Piero Ausilio dhe vetë Kivu.

Marota më pas u largua drejt Parmës ku u mbajt eventi për kalendarin e sezonit që vjen. Ndërkohë, drejtori sportiv i Parmës, Federiko Kerubini, ndodhej gjithashtu në qytetin e njëjtë për Festivalin e Serisë A dhe për një mbledhje të ligës, çka mund të përshpejtojë zgjidhjen e situatës kontraktuale të Kivusë me klubin verdheblu. Tashmë gjithçka duket e vendosur, Interi dhe Kivu janë gati për një kapitull të ri, me trajnerin rumun që rikthehet në klubin ku ka shkruar faqe të rëndësishme si lojtar, për të filluar tani një histori të re në pankinë.

Zgjedhja e Kivusë nuk është një shkëputje drastike nga filozofia e viteve të fundit tek Interi. Me shumë gjasa, ai do të ndjekë një linjë të ngjashme taktike me atë të paraardhësit Simone Inzagi, duke ruajtur skemën e mbrojtjes me tre dhe strukturën që e ka mbajtur Interin në nivelet më të larta europiane. Prania e Mario Çekit në stafin teknik, një tjetër faktor vazhdimësie, sugjeron se nuk pritet një revolucion, por një evoluim natyral.

Kivu është një trajner i ri, por jo i panjohur për ambientin zikaltër. Me një profil që përputhet me strategjinë e klubit për të promovuar talentin e brendshëm dhe për të ruajtur identitetin taktik të viteve të fundit, ai përfaqëson një zgjedhje të guximshme por të menduar mirë nga Marota. Emërimi i Kivut është një shans i madh për të dhe një eksperiment i ri për Interin. Për Marotën, është hera e parë që i beson një pankinë të tillë një trajneri jo italian, por në të njëjtën kohë ai mbetet brenda “zonës së sigurisë” falë njohjes së thellë që Kivu ka për ambientin, klubin dhe futbollin italian.