BOTA, 29 September 2026, 12:07

'Ishin kundërpeshë'/ Amerikanët ikin përfundimisht nga Iraku, ekspertët: Fitore për Iranin dhe aleatët, ISIS mund të fuqizohet

Forcat amerikane do të tërhiqen nga bazat e fundit në Irak brenda së mërkurës, në një lëvizje që konsiderohet si fitore për Iranin dhe aleatët që tashmë kanë ndikim të thellë në vend…

Ekspertët e sigurisë në Irak thonë se tërheqja e dakordësuar që në vitin 2024 nën udhëheqjen e presidentit Joe Biden, dhe e zbatuar nga administrata Trump, mund t’i japë Teheranit dhe aleatëve të tij të fuqishëm dorë të lirë, duke krijuar gjithashtu mundësi që kundërshtarë të tjerë të SHBA-së të rikthehen, përfshirë edhe Shtetin Islamik.

“Irani pritet të përfitojë strategjikisht nga largimi i koalicionit, pasi kjo heq nga Iraku një prani ushtarake që për vite me radhë ka shërbyer si kundërpeshë ndaj ndikimit të Teheranit”, shprehet Jasim al-Bahadli, ekspert i Sigurisë.

Abu Mojtaba al-Yasiri, një komandant i Rezistencës Islamike në Irak, një koalicion që përfshin grupe të armatosura të mbështetura nga Irani, e përshkroi tërheqjen e SHBA-së si “një fitore historike për grupet e rezistencës islamike irakiane dhe irakianët e ndershëm, si dhe një humbje dërrmuese për projektin amerikan”.

Ndërsa largimi përfundimtar i forcave amerikane gëzon në përgjithësi mbështetje të gjerë mes irakianëve, ata që shqetësohen për fuqinë e grupeve të mbështetura nga Irani druhen se tërheqja po ndodh para kohe. SHBA pushtoi Irakun në vitin 2003 për të rrëzuar Saddam Husseinin dhe u tërhoq në fund të vitit 2011, pas vitesh pushtimi dhe përleshjesh.

Forcat amerikane u rikthyen në vitin 2014 për të ndihmuar Irakun në luftën kundër Shtetit Islamik deri në mposhtjen e tij në vitin 2017. Në luftën në Irak humbën jetën rreth 4500 ushtare amerikane, dy herë më shumë sesa në luftën paralele në Afganistan.