TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Drejtori i Milani, Igli Tare, ka zhvilluar një takim me agjentin e Mateo Retegui, duke hedhur hapat e parë për një transferim të mundshëm. Kërkimi për një qendërsulmues të ri te Milani duket se ka nisur tashmë dhe kjo është thelbësore. Prej kohësh, pozicioni i sulmuesit ka qenë një boshllëk në skuadër që kërkon zgjidhje.
Aktualisht, në listën e drejtorit sportiv Tare ka disa emra të ndjekur prej kohësh, mes tyre edhe Retegui, i cili luan në Arabinë Saudite me një kontratë shumë të majme. Ditët e fundit, raportimet për një takim në Milano kanë shtuar spekulimet. Sipas “Tuttosport”, të premten në mbrëmje Tare është parë në një darkë në Milano me Alesandro Moxhi, pjesë e agjencisë që përfaqëson Reteguin.
Edhe pse të dy njihen si miq, biseda ka shkuar përtej një takimi të zakonshëm dhe ka përfshirë diskutime për sulmuesin italoargjentinas. Drejtuesi shqiptar ka mbledhur informacionet e para për të eksploruar një marrëveshje të mundshme. Pengesa kryesore mbetet paga e lartë e lojtarit, rreth 16 milionë euro te Al-Qadsiah. Për t’u rikthyer në Itali, Retegui do të duhet të pranojë një ulje të ndjeshme të pagës, ndërsa Milani mund të ofrojë deri në 5 milionë euro plus bonuse, ose të tentojë një huazim mes klubeve. Kartoni i tij vlerësohet rreth 40-50 milionë euro.
NJË EMËR I RIKTHYER NË RADARËT E MILANIT
Kjo nuk është hera e parë që Retegui lidhet me Milanin. Ai është një objektiv i përsëritur që nga vera e vitit 2024, kur kishte tërhequr vëmendjen e Xhefri Monkada, përpara se klubi të zgjidhte Alvaro Morata. Ish-sulmuesi i Tigre kaloi nga Xhenoa tek Atalanta, ku u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit nën drejtimin e Gian Piero Gasperini.
Edhe verën e kaluar pati interes, por gjithçka u shua kur në garë hyri Al-Qadsiah me një ofertë të jashtëzakonshme financiare. Aktualisht, Retegui ka shënuar 15 gola në 25 ndeshje dhe po shtohet ideja për një rikthim në Itali, edhe për shkak të situatës gjeopolitike të paqëndrueshme në Lindjen e Mesme. Milani ka nisur lëvizjet e tij dhe deri në verë gjithçka mund të ndodhë. Një gjë është e sigurt. Kuqezinjtë nuk mund ta lënë Masimiliano Alegri edhe një sezon tjetër pa një qendërsulmues të mirëfilltë.