TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ndeshja më e ndezur e fundjavës që kaloi në Serinë A ishte padyshim ajo mes Interit dhe Atalantës, e mbyllur me barazimin 1-1 mes polemikave, pasi kryesuesit e kampionatit, pretendonin se ishin dëmtuar nga gjyqtari. Një pretendim pjesërisht i drejtë, sipas asaj që ka konfirmuar edhe një nga përfaqësuesit e shoqatës së gjyqtarëve italianë, Dino Tomasi, teksa ka komentuar momentet e diskutueshme në emisionin “Open VAR” në “DAZN”.
Fillimisht flitet për golin e Atalantës që barazoi shifrat në 1-1, ku diskutohet prekja e Sulemana ndaj Dumfries, për të cilën te Interi pretendojnë se është faull. “Nuk ka shtyrje, është në dorë që është e vendosur pak, që nuk ushtron presion. Vlerësohet edhe kontakti poshtë, por duke parë të gjitha pamjet e mundshme, nuk ka faull. Vendim i saktë në fushë dhe i analizuar mirë në VAR, gjithçka e rregullt”, tha Tomasi duke iu referuar këtij rasti.
Më pas pamjet kalojnë te kontakti mes Skalvinit dhe Fratezit në zonën e Atalantës, me Interin që kërkonte penallti. “Kontakti është, por është shumë i lehtë”, dëgjohet komenti nga salla e VAR-it, ndërsa kryesori Manganielo përgjigjet: “Po, e prek lehtësisht”. Shoqata e gjyqtarëve në analizën e saj, mendon se në këtë rast është gabuar.
“Manganielo në fushë thotë e prek lehtësisht, VAR-i mbështet zgjedhjen e tij. Në realitet, Fratezi i paraprin Skalvinit dhe është në mundësinë për të luajtur topin, merr një shkelm dhe kjo është një penallti. Mund të shihej në fushë, salla e VAR-it duhej të kishte ndërhyrë për rishikimin e pamjeve nga kryesori”, tha Tomasi duke bërë të qartë se për këtë episod, tek Interi kishin të drejtë.